Emri i Nexhmije Pagarushës është i pavdekshëm

  • 08 February 2020 - 12:27
Emri i Nexhmije Pagarushës është i pavdekshëm

Komuniteti artistik në Kosovë ka vizituar familjen e Nexhmije Pagarushës të cilët po presin miq e bashkëpunëtorë të bilbilit të këngës shqipe, të cilëve u kanë shprehur ngushëllime dhe kanë nderuar veprën e të ndjerës. Nga ata u tha se Nexhmije Pagarusha është e pavdekshme dhe vepra e saj do të kujtohet gjithmonë.

Këngëtarja Shkurte Fejza, me lot në sy u mundua të flas për Nehxmije Pagarushën, për të cilën tha se ka lënë prapa këngët më të bukura shqipe.

Remzije Osmani, këngëtarja e cila dikur ishte nderuar me një çmim nga Nexhmije Pagarusha, tha se ndarja nga jeta e bilbilit të këngës shqipe është humbje për të gjithë shqipfolësit.

Këngëtarë e artistë të tjerë u nënshkruan në librin e kujtimeve për Nexhmije Pagarushën dhe ngushëlluan familjarët të cilët po presin në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Motrat Mustafa thanë se Nexhmije Pagarusha u nda vetëm fizikisht, meqë sipas tyre, ajo do të jetë përjetësisht në zemrat e tyre.

Familjarët e Nexhmije Pagarushës kanë hapur dyert në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku sot gjatë gjithë ditës do të presin miq e bashkëpunëtorë për ngushëllime.

(Kosova Sot Online)