Një histori tradhtie, teleshikuesit reagojnë ashpër ndaj serialit të ri të “Xhihanit”

  • 15 March 2020 - 21:22
Një histori tradhtie, teleshikuesit reagojnë ashpër ndaj serialit të ri të “Xhihanit”

Aktori Erkan Petekkaya, i njohur në vendin tonë si “Xhihani” i serialit “Fate të kryqëzuara”, është rikthyer në ekran me një serial të ri që po transmetohet aktualisht në Turqi. 

“Gel Dese Ask” mban titullin ky serial që pritej të kishte shumë sukses, por nuk ka ndodhur kështu. Teleshikuesit kanë reaguar ashpër për historinë e këtij seriali që flet për një tradhëti. 

Në këtë serial, aktori 50-vjeçar luan rolin e një burri të martuar, baba i dy vajzave. Ai takohet rastësisht me një vajzë 20-vjeçare dhe bie në dashuri me të. Kjo e fundit nuk e di që ai është i martuar dhe mes tyre lind një histori. 

Pas episodit të parë që u transmetua javën e kaluar në Turqi, teleshikuesit e kanë kritikuar regjisorin e skenaristin e serialit për dy arsye, tradhëtinë bashkëshortore dhe diferencën e madhe në moshë mes dy aktorëve. 

Një komentues shkruan: “S’keni turp që transmetoni një serial të tillë, ky bashkëshort tradhëton gruan me një vajzë që ka moshën e bijës së tij dhe e quani këtë “dashuri”. Ndalojeni menjëherë këtë serial”. 

Komente të tilla kanë qenë të shumta prandaj pritet që ky serial të ndryshojë rrjedhën gjatë episodeve në vazhdim. Vetë aktori Erkan Petekkaya ende nuk ka bërë një deklaratë për reagimet e ashpra.

(Kosova Sot Online)