Nga Jolie tek Schwarzenegger, këta janë yjet që kanë dhuruar miliona për pandeminë

  • 29 March 2020 - 09:44
Nga Jolie tek Schwarzenegger, këta janë yjet që kanë dhuruar miliona për pandeminë

Pandemia e Covid-19 ka mobilizuar shumë personazhe të njohur, të cilët janë solidarizuar duke dhuruar me miliona dollarë për t’ju ardhur në ndihmë shteteve apo personave në këto ditë të vështira. E fundit nga radha kronologjike është Angelina Jolie, e cila është gjithmonë e pranishme në kauzat humanitare. Aktorja e njohur i ka dhuruar 1 milion dollarë organizatës “No Kid Hungry” për fëmijët që kanë më shumë nevojë.

Gjithashtu, Arnold Schwarzenegger ka dhënë 1 milion dollarë për të blerë mjete mbrojtëse për mjekët dhe infermierët. Më bujarja nga të gjithë është treguar këngëtarja e njohur e muzikës “pop”, Rihanna, që ka dhuruar 5 milionë dollarë për personelin mjekësor dhe pajisjet që u duhen në luftën kundër koronavirusit.

Ryan Renolds dhe Blake Lively gjithashtu i kanë dhënë 1 milion dollarë Bankës së Ushqimeve në Amerikë dhe Kanda, dy shoqëri të angazhuara në sigurimin e ushqimit dhe nevojave bazike për të moshuarit dhe ata që janë të privuar nga këto drejta. Reynolds u shpreh në një postim në “Instagram” se tashmë duhet të mendojmë më shumë për të vetmuarit, të cilët në këto kohë të vështira nuk mund të mbështeten tek askush për t’i ndihmuar.

Ndihma më e pazakontë ishte ajo e këngëtares Ariana Grande, e cila vendosi që të bënte donacione të personalizuara për fansat e saj dhe njerëzit në nevojë. Duke ju përgjigjur kërkesës së atyre që i kërkuan ndihmë, këngëtarja ju pagoi faturat dhe ju bleu ushqime disa personave. Gjithashtu ajo ju dërgoi shuma parash që varionin nga 500-1500 dollarë përmes llogarive bankare.

(Kosova Sot Online)