Besiana&Shkodrani: Sot na la një prej zërave më origjinal të këngës shqipe Shahindere Bërlajolli- Stafai

  • 03 May 2020 - 15:25
Besiana&Shkodrani: Sot na la një prej zërave më origjinal të këngës shqipe Shahindere Bërlajolli- Stafai

Dita e Diele agoi me lajmin për vdekjen e këngëtares së njohur Shahindere Bërlajolli - Stafai, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Ky lajm e ka prekur komunitetin artistik, të cilët përmes rrjeteve sociale, kanë shprehur pikëllimin e tyre për zonjën e këngës.

"Sot na la një prej zërave më origjinal të këngës shqipe Shahindere Bërlajolli- Stafaj e cila në çdo paraqitje reflektonte civilizim dhe kulturë", ka shkruar këngëtarja dhe profesoresha e muzikës Besiana Mehmedi.

 

Postimi i plotë:

Sot na la një prej zërave më origjinal të këngës shqipe Shahindere Bërlajolli- Stafaj e cila në çdo paraqitje reflektonte civilizim dhe kulturë. Nga Peja dhe familja e njohur Bërlajolli, në Gostivar për të mbetur gjithnjë energjike, kërkuese, motivuese! Pas jetesës dhe sukseseve në Prishtinë, ajo në mes dy dashurive zgjodhi vendlindjen e bashkëshortit- muzicientit të mrekullueshëm Enver Stafaj me kujtimin e të cilit u shoqërua në dekadën e fundit për të mbetur gjithnjë “Lulja e Gostivarit”.

Megjithë sfidat e jetës ajo në çdo bisedë reflektonte aq shumë pozitivitet, dashuri, krenari.Ngushëllime familjes Stafaj! Alban, Astrit dhe Ardit të jeni krenarë që mbartni traditën e një ikone të pakopjueshme dhe unike!
Muzika shqiptare sot është në zi, por kënga e pastër shqipe që kultivoi do jehojë kurdoherë bashkë me emrin e saj që historia e muzikës autoktone do ta shkruajë me shkronja të arta!

(Kosova Sot Online)