Britney Spearsit i del në mbrojtje edhe Christina Aguilera

  • A.P /
  • 30 June 2021 - 15:40
Britney Spearsit i del në mbrojtje edhe Christina Aguilera

Këngëtarja Christina Aguilera po e përkrahë Britney Spearsin në çështjen e kujdestarisë ligjore, të cilën edhe ajo po e quan të papranueshme.

Ylli 40-vjeçar i muzikës, Aguilera, e cila bashkë me Spearsin ishin pjesë e klubit, “The Mickey Mouse Club”, dhe kanë performuar së bashku në disa shou të studios “Disney” gjatë viteve ‘90, beson që ylli i hitit “Toxic” meriton të jetë e lirë të marrë vendime rreth jetës së saj, dhe të jetojë sa më e lumtur që është e mundur.

Kjo deklaratë e këngëtares vjen pak ditë pasi, 39-vjeçarja Spearsi i quajti abusive kushtet dhe rregullat e kujdestarisë së saj ligjore, që është futur në funksion nga gjykata në vitin 2008.

Përmes disa postimeve në Twitter, Aguilera deklaroi: “Këto ditët e fundit kam menduar shumë për Britneyn, dhe gjithçka që ajo po e përjeton. Është e papranueshme që një grua apo një qenie njerëzore, që dëshiron të jetë në kontroll të jetës dhe fatit së vet, të mos lejohet ta jetojë jetën siç dëshiron.

Të heshtet, injorohet, bulizohet apo t’i mohohet përkrahja nga njerëzit e saj më të afërt, është gjëja më shkatërruese dhe nënçmuese e imagjinueshme. Dëmi mendor dhe emocional që një gjë e tillë mund ta shkaktoj tek një individ, nuk është diçka të cilën duhet injoruar. Çdo grua duhet të ketë të drejtë mbi trupin e saj, sistemin e vet riprodhues, privatësinë e saj, hapësirën e saj, shërimin e saj dhe lumturinë e saj. Ndërsa nuk kam informacione të sakta rreth kësaj çështje mjaft të komplikuar dhe tejet personale, por njëkohësisht mjaft publike, gjithçka që mund të bëj është të ndaj nga zemra ime të gjitha ato informacione që i kam dëgjuar, lexuar dhe parë në media.

Bindja dhe dëshpërimi i kësaj lutjeje të Britneyt për liri, më bën të besoj se kjo grua që dikur e njihja ka jetuar tash e sa vjen në mungesë totale të dhembshurisë ose mirësjelljes, nga ata persona që e kanë kontrolluar. Për një grua që ka punuar në kushte të rënda dhe presion të paimagjinueshëm për shumicën e njerëzve, ju premtoj se ajo meriton gjithë lirinë e mundshme për ta jetuar jetën e saj sa më e lumtur. Zemra ime është me Britneyn. Ajo e meriton të gjithë dashurinë dhe mbështetjen tonë të vërtetë”, ka deklaruar Aguilera.

(Kosova Sot Online)