Angela Martini rrëfehet nga A në Zh: Të gjitha dritëhijet e skandalit dhe pse u arrestua burri im, 48 orët e tmerrit

  • G.G /
  • 18 October 2021 - 09:53
Angela Martini rrëfehet nga A në Zh: Të gjitha dritëhijet e skandalit dhe pse u arrestua burri im, 48 orët e tmerrit

Nga rezidenca e saj në Itali, ku më në fund po gjen qetësi, pas gjithë tensionit që përjetoi bashkë me Dragos, Angela ka bërë një përshkrim të detajuar të arrestimit të bashkëshortit të saj në Mykonos, titujve bombastike të mediave, presioneve virtuale për tradhti të supozuara dhe luftën që bëri derisa e pa Dragos jashtë hekurave, vetëm pas dy ditësh.

Angela u rikthehet ditëve të gushtit teksa po darkonin me miqtë e tyre, kur disa persona të veshur civilë kërkuan arrestimin e Dragos bashkë me të gjithë të pranishmit, përveç Angelës, e cila që në momentin e parë kërkoi sqarime dhe dyshoi rreth personave që u shfaqën papritur. Ajo nuk arriti të ndalojë dot arrestimin e Dragos në ishull, por bëri gjithçka mundej, madje tejkaloi çdo limit që njihte tek vetja, për të mundësuar lirimin e bashkëshortit të saj nga paraburgimi, brenda dy ditësh.

Por le t’i marrim gjërat me radhë dhe ta nisim me ngjarjen kryesore që shkaktoi furtunën: “Pse u arrestua Dragos Savulescu?”

Angela sqaron me detaje se kjo histori ka nisur shumë herët dhe prej asaj kohe njerëzit flasin për burrin e saj si për një person që po jeton me para të vjedhura. Kur u pyet nga gazetari për përqindjen e të ardhurave të Dragos, që lidhet me shifrën e përfolur në media (si të vjedhur), Angela u shpreh: “Mediat rumune janë ato që kanë përhapur propagandë. Ato komandohen nga njerëz që kanë interesat e tyre, pasi në të vërtetë askush s’ka si të dijë gjë për Dragos. Jemi duke folur për një histori që ka ndodhur para 19 viteve, në 2002-in, kur ai ishte 28 vjeç. Në këtë çështje me burrin tim kanë qenë edhe 36 të tjerë të përfshirë, bashkë me kryebashkiakun, që ishte shumë i rëndësishëm dhe shteti e ka dashur, ndaj ngjarja u kthye në politike. E gjitha ka qenë për një tokë të madhe që komunizmi ia ka vjedhur një familjeje dhe burri im bashkë me ca të tjerë e ka kërkuar tokën, por nuk e ka marrë kurrë.

Thjesht ka dashur ta marrë, ta privatizojë, por kurrë nuk e bëri. Kështu të gjithë u futën në burg; noterë, punonjës të bashkisë, avokatë, të gjithë. Tani, pas 19 vitesh vijnë dhe flasin e akuzojnë për një tokë që nuk u mor kurrë, nuk u dëmtua askush dhe asgjë; dhe shifra 114 milionë është krejt fallco. Po të shohësh nga letra e Dragos në gjykatë, ai ka për të paguar 0 para, sepse s’ka bërë asgjë ndaj shtetit. Toka s’është privatizuar kurrë. Kjo propagandë ndodh sepse në Rumani ligji është krejt maskë, ata nuk kanë demokraci, aty ka korrupsion dhe kanë dashur të sakrifikojnë Dragos, sepse ai është biznesmen dhe ka pasur shumë suksese. Burri im jeton me punën e tij. Ai ka punuar gjithë këto vite”.

Pas arrestimit të Dragos në Mykonos, Angela organizoi luftën juridike duke bashkuar avokatët më të mirë në një grup pune, që arriti të nxjerrë bashkëshortin e saj nga burgu pa vendim gjykate si asnjëherë më parë, me gjithë vështirësitë që Rumania i kishte hapur biznesmenit edhe në Greqi. Çdo veprim u bë në mbështetje të ligjit evropian, duke i shtuar Dragos një tjetër fitore ligjore për të mbyllur këtë çështje përfundimisht, pas fitores në Itali ku çifti është rezident. Tashmë Angela dhe Dragos kanë nisur luftën ligjore me Rumaninë për të mbyllur njëherë e mirë këtë histori, një luftë kundër sistemit të padrejtë dhe korrupsionit, që siç vetë modelja shqiptare shprehet, do bëhet shembull për gjithë ata që e duan drejtësinë në atë shtet.

Gjatë kësaj periudhe të vështirë për çiftin dhe miqtë e tyre, Angela ndalon edhe tek situata e saj emocionale. Rrëfimi pasurohet edhe përmes tregimit të Eraldos, si bashkudhëtar në këto javë vështirësie. Ai rrëfeu se në një moment Angela u shpreh dhe kuptoi se kurrë nuk e kishte ditur që e donte kaq shumë partnerin e saj dhe ai moment vështirësie e bëri të kuptojë se ndjenja për të kalonte çdo kufi që ajo njihte. “E dija që e doja burrin tim, por kam kuptuar që e dua aq shumë sa edhe nëse do e dija si do shkonte kjo histori (që para se ta njihja), prapë do pranoja të isha me të dhe të bëja gjithçka për të luftuar siç po bëjmë tani”, thotë ndër të tjera Angela.

Modelja theksoi se historia nuk kaloi pa iu dhënë edhe tone rozë, duke e akuzuar se kish tradhtuar bashkëshortin apo se qëndron me të vetëm për para. Por të gjitha këto ishin thjesht sfondi që e bënte ngjarjen edhe më të errët nga sa ishte, duke mos e shpërqendruar aspak Angelën, që vazhdonte të lëvizte çdo gur derisa Dragos fitoi lirinë në një çështje vërtet të vështirë. Angela pranoi se kurrë nuk ka ndjerë dhimbje kaq të madhe për dikë dhe se çdo sakrificë, natë pa gjumë dhe mundim fizik për të ndjekur çështjen ia ka vlejtur.

Tani për Angelën dhe Dragos po nis një jetë e re. Një luftë që ata presin të mbyllet ligjërisht kundër shtetit rumun dhe padrejtësive që i kanë shkaktuar dëm të madh ekonomik Dragos, por njëkohësisht duke shijuar më në fund të qetë dashurinë e tyre, ndërkohë që në dëshirat e tyre qëndron edhe ardhja në jetë e një fëmije, për të cilin Angela nuk foli shumë, por pranoi që të dy kanë dëshirë e duan ta zgjerojnë familjen. Një histori e denjë për skenar filmash (sidomos po të kemi parasysh që të dy protagonistët janë vërtet si aktorë filmash), por që për Angelën dhe Dragosin mjafton vetëm “happy end”-i.

(Kosova Sot Online)