I dogji dy herë lokalin Noizy-t, drejtësia lë të lirë autorin!

  • G.G /
  • 02 April 2024 - 13:58
I dogji dy herë lokalin Noizy-t, drejtësia lë të lirë autorin!

Eraldo Musteqja u arrestua në vendngjarje dhe e pranoi zjarrvënien me dashje në pronën e reperit të njohur Noizy, megjithate drejtësia shqiptare vendosi të mos e kyçë prapa hekurave. Gjyqtari Paulin Çera caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për të riun që dy herë shkrumboi lokalin e artistit, duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare.

Pavarësisht se Musteqja ishte përsëritës i krimit, kjo rrethanë rënduese për të dyshuarin nuk është marrë në konsideratë nga gjyqtari. Me gjasë ai ka mbyllur sytë përballë fakteve duke e lënë të lirë të dyshuarin, i cili mund të thyejë arrestin shtëpiak dhe të kryejë të njëjtën vepër penale ose ndonjë më të rëndë dhe të vërë në rrezik jetën e qytetarëve.

Këto janë rastet tipike ku gjyqtarët tanë i çojnë qytetarët në vetgjykim; të lësh të lirë një njeri që në harkun kohor të 3 javëve ka bërë disa vepra penale me rrezikshmëri të larte për komunitetin, përbën një problem.

Ndonjëherë duket e çuditshme kur zbulon vendimet e gjykatave shqiptare që janë ekstreme për disa çështje aspak problematike dhe kaq të lehta për çështje ku vihet në rrezik jeta dhe biznesi i njerëzve të pafajshëm. Në rastin konkret duhet që drejtësia t’i shkojë deri në fund dhe të japë dënim shembullor për autorët pasi mosndëshkimi nxit akte kriminale ndaj bizneseve dhe i tremb sipërmarrësit për të mos vijuar me investimet e tyre.

Kush prek jetën dhe pronën e cilitdo qytetar duhet ta ketë vendin në burg dhe jo në shtëpi duke shijuar triumfin përballë drejtësisë që në rastin në fjalë vetëm e tillë nuk është.

(Kosova Sot Online)