Shkurte Fejza bën thirrje për një koncert dedikues për Parashqevi Simakun

  • A.P /
  • 14 December 2024 - 12:00
Shkurte Fejza bën thirrje për një koncert dedikues për Parashqevi Simakun

Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza ka bërë një thirrje emocionuese përmes llogarisë së saj sociale, duke treguar dashurinë dhe respektin për artisten e njohur Parashqevi Simaku, e cila ka prekur zemrat e publikut me zërin e saj unik ndër vite, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Në postimin e saj, Shkurte Fejza shprehet: "Kështu e kujtoj Parashqevi Simakun dhe dua ta shoh të lumtur dhe të kthyer në jetë. Të bëjmë diçka për të, nëse është e vërtetë ajo që shkruhet në media. Të organizojmë një koncert të madh dedikuar Parasqevi Simakut."

Kujtojmë se në një video e cila po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ka ngritur dyshime se një grua e cila flet në një intervistë të shkurtër për kanalin amerikan “ABC7”, mund të jetë këngëtarja ikonike Parashqevi Simaku, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në këto pamje shihet një grua e cila flet për ndihmat sociale amerikane duke thënë se “na mbajnë gjallë”, ndërsa emrin e vendosur në strishë e ka “Simaku Nohfe”.

Thirrja e Shkurte Fejzës ka ngjallur reagime të shumta pozitive në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës shprehen të gatshëm për të mbështetur një nismë të tillë dhe për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm të një prej zërave më të fuqishëm të muzikës shqiptare.

(Kosova Sot Online)