
Gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të Eurovisionit do të mbahet sonte

Gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të Festivalit të Këngës në Eurovision do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 21:00, në Bazel të Zvicrës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ky vend u bë mikpritës i konkursit pasi vitin e kaluar në Malmo Nemo fitoi me këngën “The Code”.
Eurovisioni mbahet në St. Jakobshalle dhe prezantueset e ceremonisë janë Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer.
Në garë janë 37 vende.
Zvicra dhe Pesëshja e Madhe (Big 5) e përbërë nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe tashmë janë të kualifikuara për finalen e 17 majit.
Vendet e mbetura janë planifikuar për gjysmëfinalet e para dhe të dyta, të cilat zhvillohen sonte, më 13 maj, dhe të enjten, më 15 maj.
Shqipëria që sivjet përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me “Zjerm” do të performojë në natën e sotme, gjysmëfinalen e parë.
Mali i Zi po rikthehet në Festivalin e Këngës në Eurovision pas një mungese dyvjeçare, ndërsa Moldavia, e cila planifikonte të merrte pjesë, u tërhoq për shkak të problemeve financiare.

(Kosova Sot Online)