Cardi B lirohet nga akuzat për sulmin ndaj një roje

  • A.P /
  • 03 September 2025 - 11:32
Cardi B lirohet nga akuzat për sulmin ndaj një roje

Këngëtarja e njohur amerikane, Cardi B, është liruar nga akuzat për sulm ndaj një roje sigurie, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Emani Ellis ka pretenduar se në vitin 2018 teksa po dilte nga kontrolli tek gjinekologu, këngëtarja e ka sulmuar me thonj në faqe dhe e ka paditur duke i kërkuar dëmshpërblim 24 milionë dollarë.

 

Gjyqi që u mbajt në Alhambra u diskutua shumë për shkak të komenteve të reperes ndërkohë që po merrej ne pyetje.

Ajo ka thënë se Ellis e ka ndjekur dhe e ka incizuar me telefon teksa po dilte nga ashensori i ndërtesës dhe nuk po i linte hapësirë për privatësi.

Pas vendimit të gjykatës, Cardi ka falënderuar ekipin e saj të avokatëve si dhe të gjithë që e kanë mbështetur, njofton BBC.

“Këtë herë do të jem e mirë. Herën tjetër që dikush provon të ngrejë padi të pavlerë kundër meje do të ngre kundërpadi dhe të bëj të paguash sepse kjo nuk është në rregull. Nuk e kam prekur atë grua”, ka thënë Cardi.

Ellis në padinë e saj padi pretenduar se reperja e ka pështyrë në fytyrë, ka përdorur fjalë fyese dhe e ka grithur në faqe më thonjtë e saj shumë të gjatë. Ajo gjithashtu ka pretenduar se këngëtarja, e cila në atë kohë ishte shtatzënë, ka përdorur statusin e saj si personalitet i famshëm që ta pushonte nga puna.

Ani pse e paditi Cardin duke kërkuar 24 milionë dollarë dëmshpërblim, Ellis ka thënë se ky rast “nuk ka të bëjë me paratë”.

“Ajo që ka bërë është e vërtetë, nuk ka të bëjë me paratë, por ç’është më e rëndësishmja ka të bëjë me përgjegjësinë”, ka thënë ajo për gazetarët pas vendimit të gjykatës.

Përgjatë gjyqit, avokatët e Ellis kanë deklaruar se ajo nuk po i kërkon më paratë por vetëm për kompensim të shpenzimeve mjekësore plus 250 mijë dollarë.

Këngëtarja i ka mohuar pretendimet e Ellis, ndërkohë që e ka akuzuar për përndjekje dhe cenim të privatësisë në ambientet e klinikës gjinekologjike.

Image

(Kosova Sot Online)