I ndalohet hyrja në Kosovë këngëtares serbe me prirje pro-ruse

  • A.P /
  • 09 October 2025 - 08:01
I ndalohet hyrja në Kosovë këngëtares serbe me prirje pro-ruse

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se i është ndaluar hyrja në Kosovë e këngëtares serbe me prirje pro-ruse, Andela Ignjatoviq, e njohur me emrin artistik “Breskvica”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Ajo ishte ftuar të merrte pjesë në një tubim zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

Pjesëtarët e policisë së Kosovës e kanë monitoruar situatën duke mos e lejuar të kalonte pikën kufitare.

Por si erdhi deri ndalimi i futjes së këngëtares serbe në territorin e Kosovës.

Në prag të zgjedhjeve Kosovë, Lista Serbe, një subjekt politik i cili në mënyrë të vazhdueshme është financuar drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, po organizon koncerte me përmbajtje dhe simbolikë të theksuar politike e historike, të cilat kanë karakter provokues për shoqërinë dhe kujtesën kolektive të popullit shqiptar.

Një nga këto ngjarje është koncerti i paralajmëruar për sot në Mitrovicën e Veriut, ku do të performojë këngëtarja Angjella Ignjatoviq e njohur si ‘Breskvica’, një nga interpretueset e këngës shumë të kontestuar “Gnezdo orlovo” (Foleja e shqiponjës) – një këngë që u propozua të përfaqësojë Serbinë në Eurovision 2024, por që përmban mesazhe të koduara për rikthimin e Serbisë në Kosovë dhe përkrahje të narrativës së gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.

Sipas raportimeve të mediave, kënga “Gnezdo orlovo”, e cila u paraqit si pretendente për të përfaqësuar Serbinë në Eurovision, është interpretuar nga ‘Breskvica’, por prapa saj qëndrojnë autorë që kanë krijuar një narrativë të rrezikshme dhe të kamufluar brenda vargjeve poetike.

Në tekstin e këngës, hasen vargje që në mënyrë alegorike përshkruajnë shqiptarët si “zogj të zinj”, Kosovën si “foleja e shqiponjës” e cila shkatërrohet nga forca natyrore (e cila nënkupton ndërhyrjen ushtarake), dhe rikthimi i “qenies së ndritur” që përfaqëson ushtrinë serbe që vjen ta “çlirojë” territorin. Pjesë të tekstit dhe nënkuptimet e tij:

“Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj”(Zogjtë e zinj interpretohen si shqiptarët)“Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës”(Foleja e shqiponjës = Kosova; Shkatërrimi nënkupton intervenim ushtarak)“Babi i thotë shqiponjës së vogël ‘do të kalojë birë’. Do të ikin zogjtë e zinj, qenia e ndritur vjen përsëri”(Mesazh i qartë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe largimin e shqiptarëve)Tentativa që një këngë e tillë të përfaqësojë Serbinë në një skenë ndërkombëtare si Eurovisioni u cilësua jo vetëm provokim politik, por edhe përpjekje për të rehabilituar narrativat kriminale të së kaluarës.

Image

(Kosova Sot Online)