Ja kush ishte këngëtari Shpat Kasapi i cili vdiq në moshën 40-vjeçare

  • A.P /
  • 26 November 2025 - 15:50
Ja kush ishte këngëtari Shpat Kasapi i cili vdiq në moshën 40-vjeçare

Artisti i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, ka ndërruar jetë ditën e sotme (e mërkurë) në moshën 40-vjeçare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas raportimeve të mediave, artisti humbi jetën pas një sulmi në zemër.

Kasapi ishte një prej emrave më të dashur të muzikës shqiptare, me një karrierë të gjatë të mbushur me hite dhe pjesëmarrje në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

 

I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, Shpat Kasapi nisi edukimin në shkollën fillore “Liria”, më pas vazhdoi në kolegjin turk “Yahya Kemal” në Shkup dhe përfundoi studimet universitare në Universitetin “FON”.

Karriera e tij muzikore filloi që në fëmijëri. Në moshën 13-vjeçare fitoi çmimin e parë në festivalin “Bletëzat ’98” në Tetovë, sukses i cili i hapi rrugën paraqitjeve në skena më të mëdha. Ai u vlerësua me çmime edhe në festivale të njohura si “Këngët e Stinës 2002” në Tiranë, “Nota Fest 2003” dhe “Albafest 2003” në Shkup.

Me kalimin e viteve, Kasapi u shndërrua në një prej figurave më të qëndrueshme në tregun muzikor shqiptar, duke sjellë këngë që u bënë hite si “Valle Kosovare”, “A më do?”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj” e shumë të tjera.

 

Shpati kishte përjetuar humbjen e babait në moshë të vogël, një moment që e shoqëroi gjatë jetës dhe për të cilin ai kishte folur hapur, duke treguar se muzika e kishte ndihmuar të kapërcente periudhat e vështira.

Jeta e tij private shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes, ndërsa vetëm pak muaj më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, Selvije Jao, me të cilën kishte një djalë.

Vdekja e parakohshme e Shpat Kasapit ka tronditur publikun dhe botën artistike shqiptare. Ai do të kujtohet për energjinë në skenë, për zërin karakteristik dhe për kontributin e tij të çmuar në muzikën shqiptare.

Image


(Kosova Sot Online)