Apple AirPod 2019

  • 03 April 2019 - 16:24
Apple AirPod 2019

Duket sikur kompania "Apple" së fundmi është dhënë si shumë pas një veprimtarie: merr produktet e gatshme, shumë të suksesshme, sikur "iPhone", apo sikur në këtë rast, "AirPods" dhe, duke mos e ndryshuar thuajse aspak pamjen e jashtme të tyre, bën përmirësime të brendshme, duke e përparuar pajisjen, por pa e ndryshuar atë në esencë. Përmirësimet e tilla graduale mund të jenë të mërzitshme paksa. Dhe, të paktën sipërfaqësisht, pajisjet e reja "AirPods" nuk janë interesante. Por, falë komponentëve të brendshëm, të përmirësuar, duke përfshirë edhe një çip të ri H1 i cili mbështetë audio-sinkronizimin e përmirësuar "Bluetooth 5.0" dhe një "Siri" gjithherë aktiv, ato janë më të mira sesa që mendojnë shumica e njerëzve.

Modeli bazë vazhdon që të kushtojë 159 dollarë. Për ta marrë kutinë e shumëpritur mbushëse pa kabllo, duhet të paguani edhe 40 dollarë shtesë. Në ndërkohë, pronarët e pajisjeve origjinale "AirPods" mund të blejnë kutinë mbushëse ndaras, për një çmim jo edhe aq të volitshëm, prej 79 dollarësh. Kutia e vetme e mbushjes 'wireless' nuk përmban kabllon 'USB/Lightning, por pajisjet e plota '2019 AirPods' me kutinë e rregullt dhe 'wireless', e kanë atë. Mënyra e vetme për t'i dalluar dy kutitë midis tyre, është shtimi i një drite të vogël LED në pjesën e jashtme të kutisë 'wireless' dhe vendosja e butonit të çiftëzimit (bashkimit). Ajo drita e vogël LED ua bën me dije se kutia është duke u mbushur. Por, ajo fiket pasi që kutia të bie në kontakt me shtresën mbushëse për disa sekonda.

 

ÇIPI I RI, TIPARET E REJA

Pajisjet e reja "AirPods" duken të njëjta me origjinalet, të cilat tani janë më shumë se dy vjet të vjetra. Disa njoftime thonë se versioni 2 do të vijë në të zezë dhe në ngjyra tjera. Ne nuk i kemi parë ndryshimet e tilla, edhe pse ka mundësi që "Apple" të shtojë ngjyra të reja këtë vjeshtë, me daljen e pajisjeve të reja "iPhone". Ndryshimi i madh gjendet brenda, me shtimin e çipit të ri H1, për të cilin kompania thotë "sjell një arkitekturë të rëndomtë audio për të krijuar një përvojë revolucionare audio dhe për ta përmirësuar sinkronizimin". Çipi i ri H1 ndihmon në lehtësimin e tiparit më të madh të ri të pajisjeve "AirPods", shtimin e shumëpritur të njohjes zanore, gjithnjë të ndezur. Mjafton që të thuash "Hey Siri" për të aktivizuar asistentin zanor të "Apple"-s. Derisa nuk ka kontrolle të vëllimit në "AirPods", tani mjafton që t'i thoni "Siri"-t që ta ulë, apo ngrejë volumin. "Apple" premton se H1 mundëson një lidhje dy herë më të shpejtë midis të gjitha pajisjeve "Apple" që i posedoni.

BATERIA E NJËJTË, RRITJA E KOHËS SË BISEDËS

Sipas "Teardowns", bateria që gjendet brenda pajisjeve të reja "AirPods" ka kapacitet të njëjtë me atë që gjendet në pajisjet origjinale. Dhe, derisa jetëgjatësia e baterisë për dëgjim të muzikës mbetet 5 orë, "Apple" thotë se do të ketë rritje prej 50% të kohës së bisedës, një orë më shumë, krahasuar me gjeneratën e parë të pajisjeve "AirPods".

KUALITETI I ZËRIT

"Apple" nuk ka bërë me dije që pajisja e re ka zë më të mirë, kur flitet për dëgjimin e muzikës. Edhe testimet thonë se nuk ka përmirësime sa i përket kualitetit të zërit. Por, kualiteti i bisedës është përmirësuar, me një filtrim më të mirë të zhurmës së prapavijës, duke përfshirë edhe erën, kështu që kur të bëni thirrje në ambient të hapur, të tjerët do t'ju dëgjojnë më mirë.

ANËT E MIRA

Gjenerata e dytë e pajisjeve "AirPod" sjellin pak përmirësime të vogla, por të rëndësishme krahasuar me pajisjet origjinale, duke përfshirë njohjen e zërit gjithnjë aktive dhe një opsion të kutisë së mbushjes pa kabllo. Çipi i ri i "Apple"-s, H1, po ashtu mundëson lidhjet më të shpejta me të gjitha pajisjet tuaja "Apple".

ANËT NEGATIVE

Nuk ka ndryshime të dizajnit që do ta mundësonin një vendosje më të mirë të dëgjueseve në veshë.

VENDIMI PËRFUNDIMTAR

Pajisjet e reja "AirPod" paraqesin një përmirësim gradual krahasuar me pajisjet ekzistuese, por kualiteti i zërit, dizajni dhe përdorimi praktik janë të njëjtat.  

(Kosova Sot)