Ekspertët: Teknologjia po i largon fëmijët nga të rriturit

  • 28 prill 2019 - 13:54
Ekspertët: Teknologjia po i largon fëmijët nga të rriturit

Një nga autoritetet më të rëndësishme në botë për shëndetin mendor të fëmijëve ka paralajmëruar se teknologjia po e kërcënon zhvillimin e tyre përmes pengimit të marrëdhënies jetike të të mësuarit mes të rriturve dhe fëmijëve.

Peter Fonagy, profesor në Universitetin e Londrës, i cili i ka publikuar më shumë se 500 punime shkencore dhe 19 libra, paralajmëron se bota digjitale është duke e pakësuar kontaktin mes gjeneratave dhe kjo do të ketë ndikime negative në të ardhmen.

Fonagy është drejtor ekzekutiv i një qendre bamirësie dhe e ka studiuar zhvillimin e fëmijëve për më shumë se gjysmë shekulli. Ai thotë se çrregullimet emocionale te vajzat e moshës 14 deri 19 vjeçare janë bërë më të shpeshta dhe tentimet për ta lënduar veten gjithashtu janë shtuar. Së voni është shënuar edhe rritje e rasteve të dhunës mes djemve.

“Përshtypja ime është se të rinjtë sot kanë më pak kontakt sy me sy me njerëzit më të vjetër sesa në të kaluarën. Ata shoqërohen vetëm me persona të moshës së tyre, por truri nuk është i ndërtuar për këtë gjë”, tha ai.

Profesori Fonagy shtoi: “Truri është i ndërtuar në atë mënyrë që një i ri ose e re të shoqërohet dhe të mbështetet nga një person më i vjetër gjatë zhvillimit të tyre. Familjet hanë më rrallë ushqim së bashku pasi të rinjtë e kalojnë kohën me shokët e shoqet në internet”, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)