Apple tregon datën e lansimit të Mac Pro

  • 24 nëntor 2019 - 17:36
Apple tregon datën e lansimit të Mac Pro

Paraqitja e Apple Mac Pro (2019) të shumëpritur tani është e sigurtë. Profesionistët dhe krijuesit e përmbajtjeve mezi e kanë pritur lajmin për daljen e kompjuterit të tyre të preferuar me specifikimet më aktuale.

Pritja është shpaguar dhe sipas informacioneve të pakonfirmuara, kompjuteri do të duhej të shfaqet qysh në muajin e ardhshëm pasi që Apple ta ketë përfunduar procesin e certifikimit FCC. Pra, babadimri ka përgatitur surpriza për festat e Krishtëlindjes dhe Vitit të Ri, raporton TechRadar.

Mac Pro do të jetë në dispozicion në disa konfigurime. Modeli bazë do të bazohet në CPU-në 8 bërthamëshe Intel Xeon W, procesorin grafik AMD Radeon Pro 580X dhe do t’i ketë 32 GB RAM. Kostoja e këtij konfigurimi do të jetë rreth 5,999 dollarë. Modeli më i fortë do t’i ketë dy kartela grafike AMD Radeon Pro Vega II, një CPU 28-bërthamëshe Intel Xeon dhe memorie prej 1,5 TB. Për një Mac Pro të tillë do t’ju duhet t’i paguani madje 45.000 dollarë.

Së bashku me serinë e re Mac Pro, do të arrijnë edhe modelet e reja të monitorit Retina. Apple Pro Display XDR me diagonale prej 32” fillon me një çmim prej 4.999 dollarëve. Në të ofrohet rezolucioni 6K prej 6016×3384 pikseleve në një panel 10-bitësh në rangun e 1.073 nuancave të ngjyrave, në përputhje me standardin DCI-P3. Apple Mac Pro me specifikimet e vitit 2019 do të prodhohet në Texas, SHBA.

(Kosova Sot Online)