Çfarë janë dhe pse Google po ndryshon ‘cookies’

  • 19 January 2020 - 17:22
Çfarë janë dhe pse Google po ndryshon ‘cookies’

Google kontrollon mënyrën si shumica e botës lundron në internet përmes browser-it (shfletuesit) të tij, Chrome. Së fundmi, Google po planifikon që të ndryshojë mënyrën si kompanitë dhe reklamuesit përdorin të dhënat e përdoruesve. Sipas CNN, drejtori i inxhinierisë së Chrome, Justin Schuh, u shpreh se kompania do të synojë të heqë cookies për palët e tjera. Cookies lejojnë faqet e internetit që të regjistrojnë aktivitetin tuaj dhe më pas informacioni u shpërndahet kompanive të ndryshme, kryesisht për reklama.

Heqja Cookies pritet që të ndihmojë përdoruesit në internet që të kenë më shumë kontroll për privatësinë e tyre. “Njerëzit po kërkojnë intimitet. Duan të kenë kontroll mbi përdorimin e të dhënave të tyre dhe është e qartë që gjërat duhet të evoluojnë për të përmbushur kërkesat e tyre në rritje,” shtoi Schuh. Të tjerë motorë kërkimi si Safari i Apple dhe Mozilla Firefox kanë vendosur kufizime të rrepta në lidhje me privatësinë e përdoruesve në internet. Ekspertët thonë se qasja e Google-it ndaj kësaj politike mund të jetë një formë e kompanisë për të kontrolluar përdoruesit dhe për të rritur vetë-reklamimin dixhital, i cili përbën pjesën më të madhe të të ardhurave të kompanisë.

Sipas Statista, portal gjerman për statistikat, Chrome zë më shumë se 60% të tregut të lundrimit në internet, i ndjekur nga Safari në vendin e dytë me 16%. Sidoqoftë, shtojmë se abuzimi me të dhënat e përdoruesve është një debat që diskutohet prej kohësh. Dy ditë më parë, një hulumtim i detajuar në Norvegji shtroi një sërë pyetjesh për aplikacionet e njohjeve si Grindr, OkCupid dhe Tinder.

(Kosova Sot Online)