Videot e aplikacionit “Zoom” po qarkullojnë lirshëm në internet

  • 06 April 2020 - 10:23
Videot e aplikacionit “Zoom” po qarkullojnë lirshëm në internet

Një ekspert i privatësisë ka zbuluar se mijëra video personale të aplikacionit Zoom, në të cilat ka të dhëna financiare të kompanive, seanca me terapi, orë mësimore me fëmijë dhe madje edhe pamje nudo, janë të qasshme nga të gjithë në internet.

Kjo gjetje erdhi në kohën kur miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara po e shfrytëzojnë këtë platformë për të bërë biznes për shkak të karantinës dhe izolimit në kohën e koronavirusit.

Aplikacioni Zoom raportoi rritje të madhe të përdoruesve në muajin mars. Në dhjetor të vitit të kaluar, ky aplikacion përdorej nga 10 milionë njerëz, ndërsa tani përdoret nga 200 milionë.

Rritja e popullaritetit të tij ka bërë që aplikacioni të jetë cak i hakerëve, të cilët i shfrytëzojnë te metat e sigurisë në aspektin teknologjik për t’i keqpërdorur të dhënat dhe materialet.

Gazeta “The Washington Post” raportoi se në këto video kishte emra të personave të rritur, numra të telefonit, terapi personale dhe takime të vogla të bizneseve.

Këto video mund të kërkoheshin në internet dhe madje mund të shkarkoheshin, duke ngjallur shqetësime për sigurinë dhe prinvatësinë e përdoruesve.

Shefi i Zoom-it, Eric Yan, tha se platforma ka pësuar rritje të papritur të përdoruesve dhe ka krijuar sfida të reja të sigurisë, me të cilat janë duke u marrë për t’i rregulluar.

(Kosova Sot Online )