Kjo është arsyeja pse Mercedes tërheq 1 milion vetura nga tregu

  • A.P /
  • 19 shkurt 2021 - 23:30
Kjo është arsyeja pse Mercedes tërheq 1 milion vetura nga tregu

Mercedes-Benz është duke i tërhequr nga tregu më tepër se një milion vetura për shkak të një defekti në siguri, me sistemin e thirrjes së emergjencës në vetura, raporton BBC.

Problemi është te sistemi “eCall” në vetura, që alarmon shërbimet e emergjencës për një aksident dhe mbështetet te lokacioni i veturës për të lajmëruar ato për vendndodhjen.

Mirëpo, një gabim në sistem nënkupton se është e mundur që të dërgohet lokacioni i gabuar.

Problemi ka prekur 1.292.258 vetura në SHBA, dhe kompania thotë se po përgatitet të regullojë këtë për konsumatorët edhe në shtetet tjera.

Sipas informatave të Administratës Amerikanë për Siguri Trafiku, thuhet se nuk mund të përjashtohet mundësia e rrezikut të sigurisë.

Pasi që problemi është i lidhur me softuerin, rregullimi i problemit mund të bëhet duke përdorur një shkarkim “wireless” duke përdorur të dhënat e veturës.

Por, nëse nuk mund të bëhet, për shkak të lidhjes së keqe apo problemeve tjera, atëherë pronarët do të jenë në gjendje të sjellin veturat e tyre te një mekanik i autorizuar për të përditësuar të dhënat.

Sistemi eCall është i obligueshëm në BE për gjitha veturat që nga viti 2018, dhe dokumentet në SHBA zbulojnë se arsyeja prapa hetimit ishte një rast i njohur për dërgim të lokacionit të gabuar.

“Ky përditësim i softuerit po ashtu do të implementohet në shtetet tjera dhe jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet lokale”, është thënë nga Mercedes-Benz në Britani.


(Kosova Sot Online)