“Fluturon” vlera e Bitcoin-it, arrin nivel rekord

  • E.K /
  • 13 prill 2021 - 11:43
 “Fluturon” vlera e Bitcoin-it, arrin nivel rekord

Vlera e kriptovalutës së famshme, Bitcoin, të martën arriti vlerë rekorde, duke e vazhduar ecurinë pozitive të nisur në fillim të vitit, duke shkuar në 62.575 dollarë amerikanë për një njësi.

Kriptovalutës më të madhe në botë i është rritur vlera për më shumë se dyfish këtë vit, pas zgjerimit të pranimit të saj si mënyrë pagese, në kohën kur investitorët po kërkojnë asete pas shkallës së ulët të interesit.

Kompani të mëdha si “BNY Mellon”, “Mastercard” dhe “Tesla” janë në mesin e atyre që i kanë pranuar kriptovalutat ose që kanë investuar në to, shkruan Reuters.

Disa javë më parë, shefi i prodhuesit të veturave elektrike, “Tesla”, Elon Musk, njoftoi se ata që janë të interesuar të blejnë vetura nga kompania e tij, tani e tutje këtë mund ta bëjnë edhe përmes Bitcoin-it.

Sidoqoftë, tregjet financiare ende kanë ngurrime ndaj kriptovalutave për shkak të vlerës së tyre të paqëndrueshme. Pak kohë pas rekordit të mëparshëm, Bitcoin-i filloi të pësonte rënie, duke treguar luhatje vështirë të parashikueshme.

(Kosova Sot Online)