Instagram-i bën disa ndryshime me rëndësi për përdoruesit e rinj

  • E.K /
  • 28 July 2021 - 08:57
Instagram-i bën disa ndryshime me rëndësi për përdoruesit e rinj

Instagram-i ka njoftuar disa ndryshime në siguri për përdoruesit e rinj. Të gjitha llogaritë e fëmijëve nën 16 vjeç do të bëhen automatikisht private dhe disa të rritur me adresa të dyshimta do të bllokohen e nuk do të kenë mundësi për të komunikuar me adoleshentët. Gjithashtu do të ketë kufizime edhe për targetimin e reklamave tek adoleshentët.

Këto ndryshime vijnë pasi Instagram-i është nën presion të vazhdueshëm nga ligjvënësit, prindërit dhe mbrojtësit e sigurisë së fëmijëve, që janë të shqetësuar për impaktin e rrjeteve sociale tek fëmijët, privatësia e tyre dhe shëndeti mendor.

Shefja e politikës publike në Instagram, Karina Newton, është shprehur se këto ndryshime kanë si qëllim krijimin e përvojave të përshtatshme për moshën dhe për t’i ndihmuar të rinjtë për të naviguar në këtë rrjet social.

“Ne duam që të rinjtë të jenë të sigurt, të kenë eksperienca të mira dhe duam t’i mësojmë ndërkohë që përdorin platformën tonë, për të zhvilluar zakone të shëndetshme dhe cilësore kur janë duke përdorur internetin, aplikacionet dhe rrjetet sociale”, është shprehur Karina Newton.

Njësoj si aplikacionet e tjera, Instagrami bllokon fëmijët nën 13 vjeç që ta përdorin këtë platformë, por kritikët thonë se adoleshentët më të rritur janë lënë më të ekspozuar. Për këtë arsye u vendosën këto ndryshime dhe duke nisur nga kjo javë fëmijët nën 16 vjeç që do t’i bashkohen Instagram-it do të kenë adresë private automatikisht. Kjo do të thotë se postimet e tyre mund të shikohen vetëm nga njerëzit që ata lejojnë që t’i ndjekin.

Instagram po ndërmerr gjithashtu hapa për të parandaluar atë që e quan “kontakt të padëshiruar nga të rriturit”. Të rriturit që janë bllokuar apo raportuar më herët nga të rinj të tjerë, nuk do të kenë mundësi për të bashkëvepruar dhe ndjekur adoleshentët.

Për shembull, ata nuk do të shohin postimet e adoleshentëve midis rekomandimeve në seksionet Explore dhe Reels të Instagram dhe Instagram nuk do të sugjerojë që ata të ndjekin llogaritë e adoleshentëve.

(Kosova Sot Online)