Prezantohet taksia e parë fluturuese

  • A.P /
  • 06 October 2022 - 14:44
Prezantohet taksia e parë fluturuese

Kompania Wisk Aero ka prezantuar gjeneratën e gjashtë të taksisë fluturuese gjysmë autonome, për të cilën pretendon se është “kandidati i parë për certifikatën e agjencisë federale për aviacion”, që ka të bëjë me mjetet motorike autonome siç është rasti i eVTOl, mjetit elektrik me ngritje dhe zbritje në mënyrë vertikale.

Duke parë dizajnin duket se bëhet fjalë për versionin e avancuar të taksisë fluturuese të quajtur Cora, që tashmë ka fluturuar në Zelandë të Re gjatë vitit 2018. Megjithatë, kësaj radhe nuk është shfaqur fluturimi, e as detajet për avancimin e procesit të certifikimit, transmeton Telegrafi.

Nga Wisk pretendojnë se fluturakja ka katër ulëse, mund të fluturojë me shpejtësi deri në 222 kilometra në orë në një lartësi prej afro 1.200 metra.

Posedon 12 helika, që e ndihmojnë për t’u ngritur dhe zbritur në tokë. Rrezja e veprimit të saj është 145 kilometra. Videoja promovuese tregon se si pasagjerët vendosin rripat e sigurisë dhe kalojnë nëpër procedurat e demonstrimit të sigurisë përmes ekraneve të ndjeshëm në prekje.

Taksitë fluturuese tani kanë “më pak mjete lëvizëse, nuk kanë hidraulik, vaj e as derivate” dhe janë më të sigurta për fluturim. Është i dizajnuar për të tejkaluar “standarde rigoroze të sigurisë në aviacion dhe se gjasat për aksident janë 1:1.000.000.000.

Sipas Wisk, taksia e re fluturuese është kandidate për certifikatën FAA që do t’i mundësonte të transportonte pasagjerë në SHBA, megjithatë, marrja e një certifikate të tillë është punë e rëndë edhe për prodhues të etabluar të aeroplanëve siç është Boeing që përdor dizajne standarde të fluturakeve.

(Kosova Sot Online)