Ja funksioni më i ri në TikTok

  • A.P /
  • 25 March 2025 - 08:15
Ja funksioni më i ri në TikTok

Rrjeti i njohur social TikTok ka shtuar një mjet që do t’u mundësojë përdoruesve të mbrojnë llogarinë e tyre. Edhe pse e ardhmja e TikTok-ut është ende e pasigurt, aplikacioni vazhdon të marrë funksione dhe përmirësime të reja. Funksioni më i ri quhet Security Checkup dhe ka rol në mbrojtjen e llogarisë së përdoruesit. Mjeti mund të gjendet duke shkuar në Settings and privacy > Security & permissions në aplikacionin TikTok. Ideja pas funksionit Security Checkup është që përdoruesve t’u lehtësohen veprimet siç janë lidhja e numrit të telefonit dhe adresës së emailit për të siguruar një metodë shtesë të kyçjes, më pas aktivizimi i verifikimit me dy faktorë, konfigurimi i çelësit të aksesit dhe aktivizimi i mundësive biometrike për identifikimin, siç është njohja e fytyrës.

 

Përveç kësaj, përdoruesit tani mund të shohin cilët pajisje janë kyçur në llogarinë e tyre dhe është e mundur të ndaloni qasjen për çdo pajisje që nuk e njihni ose që nuk e përdorni më. Për më tepër, TikTok do të shënojë dhe raportojë çdo sjellje të pazakontë që detekton në llogarinë e përdoruesit. Ndërkaq, qeveria shqiptare ka marrë vendimin për mbylljen zyrtarisht të rrjetit social TikTok në të gjithë vendin, për 12 muaj.

Në VKM-në e publikuar pak ditë më parë, theksohet se “ndërprerja e platformës on-line TikTok do të zgjasë deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta”. Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u propozua nga kryeministri Edi Rama pas një ngjarjeje tragjike, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Pas kësaj, qeveria zhvilloi konsultime me 65 mijë prindër dhe mësues, duke e argumentuar mbylljen si një masë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dhunshme dhe rreziqet online.


(Kosova Sot Online)