Ngjarje e vërtetë: E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (6)

  • 01 April 2019 - 15:38
Ngjarje e vërtetë: E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (6)

Nuk dinte ku kishte shkuar, e as ku do të mund ta gjeja. Kokulur dhe me zemër të thyer, nuk më mbeti asgjë tjetër, pos të kthehesha në atdhe, në dhomëzën e nënës së tij. Por, pas vetëm dy ditëve pas kthimit, aty më priti një befasi e re. Nëna e tij, ajo që më ishte përgjëruar që ta bindja të birin që të shkonte në Gjermani dhe e cila bënte be se më donte për re të saj, tani më shikonte nga lart dhe habitej që isha kthyer përsëri tek ajo. - Sanije, më vjen keq, por dhomën tënde e kam lëshuar me qira. Mendoja se do të rrije te Petriti - më tha. - Si mund të rrija, kur as që e gjeta atë. Pashë Zotin më tregoni se çka është duke ndodhur.

- Mirë, mirë! Hyr brenda! Nuk ka kuptim që të bisedojmë midis rruge - më tha me neveri, duke më lënë që të futesha brenda. - Petriti atje ka gjetur një të dashur tjetër. U dashurua, janë fejuar dhe, së shpejti, edhe do të martohen. Për këtë shkak pushoi së komunikuari me ty. Nuk dinte si të ta thoshte këtë. Më vjen keq. Me të vërtetë të kam dashur. Tash, me gjasë kupton pse më nuk mund të rrish te unë? Nuk do të kishte kuptim të të gjente këtu, kur të vijë me gruan e tij. Çka t'i bësh! Meshkujt janë të këtillë. Edhe mua më la i ati i tij - më tha, duke u munduar që ta aktronte keqardhjen. Zemra më digjte. Në asnjë moment nuk dyshoja në fjalët e saj. Pas këtij shpjegimi edhe unë kuptova pse ai më nuk më shkruante. Tmerri dhe pikëllimi përsëri u bënë miqtë e mi të vetëm. Me mijëra herë e pyesja veten si kishte mundur të ma bënte një gjë të tillë, pas tërë atyre që kisha bërë për të. Me lot në sy i mblodha gjësendet e mia dhe përsëri u gjeta në rrugë.

Meqë nuk kisha ku të shkoja, bujta disa net te nëna dhe njerku, e më pas përsëri mora me qira një dhomë të vogël dhe fillova me jetën time të mjerë. Vitet kalonin. Meshkujt më ftonin që të dilnim dhe të argëtoheshim, por zemra ime edhe më tej ishte e plagosur, sikur atë ditë kur e ëma e Petritit më kishte treguar se çka kishte ndodhur. Përkundër të gjithave, trupi im dhe shpirti im vazhdonin t'i përkisnin vetëm atij. E doja më shumë se jetën. Iu përkushtova punës, duke punuar edhe pas orarit, në mënyrë që të mos mendoja për të. Me kalimin e kohës arrita edhe të kurseja diçka, duke realizuar ëndrrën time të madhe, duke hapur dyqanin tim të rrobaqepësisë. Fatkeqësisht, as aty nuk më buzëqeshi fati. Unë nuk vija nga ndonjë familje e fortë dhe e pasur, e nga të panjohurit që vinin ndonjëherë në dyqanin tim, nuk mund të mbijetoja, prandaj mu desh që të hiqja dorë nga puna e pavarur. Me pikëllim në zemër e mbylla edhe këtë kapitull rreth suksesit të ëndërruar. Çkado që filloja, asgjë nuk më shkonte për dore. Gjithçka e merrte teposhtën.

Drenusha erdhi në momentin e caktuar në derën time. E pranova edhe pse nuk kisha kurrfarë pritjesh. Me qetësi dëgjoja çdo fjalë të saj. - Babai juaj gjatë tërë jetës kishte provuar që t'ju kontaktonte, por nëna juaj nuk pranonte. Nuk mund ta falte që e kishte braktisur sapo kishte marrë vesh se kishte ngelur me barrë dhe nuk e kishte lejuar që t'ju afrohej. Ai e kishte pranuar gabimin e vet dhe ishte munduar që të shpaguhej, por ajo tanimë ishte martuar me dikë tjetër.

Ai ju shkruante çdo festë, ju dërgonte panorama dhe dhurata, por kurrë nuk kishte marrë përgjigje nga ju. Nuk ua shihte për të madhe. Gjithmonë mendonte për ju. Bile, as që ishte martuar ndonjëherë. Deri në frymën e fundit kishte dashur nënën tuaj. Ishte mërzitur shumë kur ajo kishte vdekur. Derisa ishit vajzë, ju priste para shkolle, për t'ua vjedhur ndonjë shikim. Do të jepte gjithçka sikur të mund të bëheshit një familje e lumtur dhe sikur nëna juaj t'ia falte. (vijon)

(Kosova Sot)