Ngjarje e vërtetë: E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (8)

  • 03 April 2019 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (8)

U ktheva, duke e kërkuar me shikim, e më pas sa nuk më lëshuan këmbët nga befasia. Nuk mund të besoja. - Sanije, çka bën ti këtu? - disa hapa larg meje gjendej Petriti, i cili mi kishte ngulur sytë. - Petrit! Petrit! - përsërita me habi, duke lëshuar qeset nga dora. - Po, unë jam. Nuk e kam ditur se edhe ti jeton në Munih - tha dhe vazhdoi që të më shikonte. Zemra më rrihte aq shpejt, saqë më dukej se do të vdisja në çdo çast. Ishte më i bukur se ndonjëherë më parë. I veshur me rroba sportive, të cilat i rrinin për mrekulli, trupi i tij i hijshëm dukej edhe më i hijshëm. Buzëqeshte dhe priste që edhe unë të thosha diçka. - Nuk jetoj këtu. Jam përkohësisht - mezi arrita t'i thosha, e më pas mu kujtuan të gjitha ndjenjat e këqija. Më duhej që, përfundimisht, t'i ndaja dhentë dhish. - Si e ke gruan? A jeni të lumtur? A keni fëmijë?, rendisja pyetje pas pyetjeje. - Gruaja? Më pyet si e kam gruan dhe a jemi të lumtur? Çka ke kështu? A thua, pas të gjithave, do të më akuzosh mua për atë që bëre? Kjo me të vërtetë është pak si tepër dhe nuk është në rregull - buzëqeshi me cinizëm. Nuk e kuptoja, por atë moment, te unë, lindi një shkëndijë shprese.

- Po, po. Të pyes si e ke atë gruan për të cilën më le. Më shfrytëzove aq sa munde, e kur më nuk kishe çka të merrje nga unë, atëherë ma gjete një zëvendësim. E pyes veten a thua edhe ajo do ta shiste veshkën e vet, për t'i paguar borxhet tua të bixhozit? - nuk u durova pa i thënë. - Sanije, unë nuk kam kurrfarë gruaje dhe nuk kuptoj çka je duke thënë. Kurrë nuk jam martuar. Çka po flet… kur ti ke gjetur një burrë të pasur dhe je martuar me të? - Nuk mund t'iu besoja veshëve, prandaj e luta që ta përsëriste edhe një herë atë që tha. Fjalët e tij nuk kishin aspak kuptim për mua.

- Çka ke, more? Të kam dashur aq shumë, saqë, po të ma kërkoje, do të ta jepja edhe zemrën. Do të vdisja për ty. Nuk jam martuar. Pasi që pushove së shkruari, të kërkova në adresën në të cilën më parë t'i dërgoja letrat. Një grua më tha se je zhvendosur. Pasi që u ktheva në shtëpi, nëna jote më tha sesi ke gjetur një femër tjetër, prandaj edhe nuk më shkruan më letra. Më nxori në rrugë. Petriti mbeti si statujë, e më pas mu afrua dhe filloi që të më puthte midis rruge.

Edhe pse e hutuar, ia ktheva puthjet, jo vetëm me gojë, por edhe me zemër. Në puthjet e tij ndjeva të njëjtin pasion, sikur dikur, e pasi që, përfundimisht, u ndal, shkuam në një ëmbëltore, aty afër dhe bëmë një bisedë të gjatë. E vetmja e vërtetë ishte se ishte shpërngulë në një qytet tjetër, meqë kishte gjetur një punë më të mirë. Ai kurrë nuk kishte pushuar së shkruari, por me gjasë nëna e tij i kishte marrë letrat dhe nuk mi kishte dhënë mua. Atij ia kishte thënë një tregim, e mua një krejt tjetër, duke na ndarë me qëllim. Në ndërkohë, ajo kishte vdekur, kështu që as Petriti, e as unë kurrë nuk do ta kuptonim pse kishte vendosur të na ndante. Por, ata që i ndanë njeriu, i bashkon Zoti. Dashuria e vërtetë e gjen rrugën, ashtu si u gjetëm edhe ne të dy. Qëndruam në Gjermani edhe për një kohë, e unë e shita vilën që e kisha afër liqenit. U kthyem në atdhe. Petriti shiti trashëgiminë e nënës, e me paratë e përbashkëta blemë një shtëpi me të vërtetë të bukur. Unë përsëri hapa një dyqan rrobaqepësie, e ai një punëtori me pajisje të ndryshme për rregullimin e shtëpisë. Kishte kohë që nuk luante më bixhoz. Edhe pse na kishte kaluar një pjesë e jetës të ndarë nga njëri-tjetri, përfundimisht çdo gjë erdhi në vendin e vet. Sikur të më jepej rasti t'ia nisja përsëri, nga fillimi, përsëri do ta zgjidhja atë dhe vetëm atë. 

(Kosova Sot)