Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (91)

  • 24 April 2019 - 15:38
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (91)

"Nuk kam uri!" "Nuk më intereson!" Ai u largua me të shpejtë, duke lënë gjurmët e këmbëve në tepih dhe duke e përplasë derën. Ryan m'u drejtua: "T'i ndërrojmë vendet?" E refuzova ofertën e tij. Henry ishte ulur përballë meje, prandaj përkujdesesha që të mos shikoja në atë drejtim. Urreja idenë e të qenit në të njëjtën dhomë me të. Bile, më vinte të shkoja, të ikja. Një pjesë e imja sikur ishte e lumtur që më kishte ndëshkuar. Ai kurrë nuk ishte dukur më shumë si baba, sesa atë ditë. "Ashlyn, dëgjova se je ndëshkuar disa ditë", tha Rebecca me qetësi, duke ngrënë ushqimin e saj. Shikimi im u zhvendos te bizelet e mia, të cilat vetëm i shtyja me lugë. "Kështu më duket". "Atëherë nuk do të jesh e vetme.

Edhe Ryan po ashtu është ndëshkuar". Ryan u ngrit nga tryeza, duke bërë zhurmë. "Çka?! Çka bëra unë?!" Zëri i Rebecca-s ishte i qetë, sikur zakonisht. "Jo çka bëre, por çka s'bëre, Ryan? Dëgjohen zëra se ke qenë në një ndejë fundjavën e kaluar". Ryan habi gojën në shenjë habie dhe i rrotulloi sytë. "Njëmend? Po më ndëshkon për shkak se isha në një ndejë? Sivjet kam qenë të paktën në 50 ndeja!" "Jo. Po të ndëshkoj për shkak të drogës, që e gjeta në banjë". Shikimi im u kthye te Hailey, e cila u kaplua nga tronditja. Në fytyrën e Ryanit shihej konfuzioni. Më pas, ai u kthye kah motra e tij dhe kuptoi se droga kishte qenë e saj. "Në rregull. Jam ndëshkuar. Nuk mërzitem", tha ai, duke prekur flokët me dorë dhe duke e ruajtur qetësinë. Në ato momente ndjeva një dashuri të madhe ndaj tij, meqë mori nën mbrojtje motrën e tij të vogël. "Je i ndëshkuar për një muaj", Rebecca ishte duke u treguar e ashpër me të. "Apo, në fakt, për dy muaj".

"Ku dreqi qëndron problemi me ty?!", bërtiti Ryan duke u ngritur përsëri në këmbë. "Seriozisht. Çka dreqin të kam bërë ty?!" "Kujdes gjuhën", nëna e tij ishte e zemëruar, por dukej se kjo nuk kishte asgjë të bënte me drogën e gjetur. "Pse?! Edhe po të flas mirë, edhe po ta luaj rolin e djalit të mirë, që ti dëshiron nga unë, kjo nuk do të mjaftonte për ty. Për hir të Zotit, thjesht ma thuaj. Ma thuaj se më fajëson për vdekjen e babait dhe atëherë ndoshta, një ditë, do të mund të pushosh së sjelli si një kuçkë e vërtetë"! Rebecca ia dha atij një flakaresh, derisa Henry u ngrit dhe u fut midis tyre. "Qetësohuni! Okej? Merrni frymë thellë!" Rebecca tentoi ta anashkalonte Henryn, por ai e ndali. "Ti je një djalë mosmirënjohës, i cili nuk di se sa shumë të kam ndihmuar. Unë të kam shpëtuar, Ryan!", tha ajo, duke i rrjedhur lotët nëpër faqe. "Më ke shpëtuar?! Ti je e marrë" Hailey u ngrit me të shpejtë nga karrigia. "Droga ishte e imja". Në dhomë mbretëroi heshtja, derisa Rebecca filloi të qeshte. "Mos e mbroj vëllain, Hailey." "Nuk jam duke e mbrojtur askënd". Ajo u kthye kah e ëma, derisa në fytyrë nuk i kishte mbetur as edhe një pikë gjaku. "Theo ma dha atë drogë.

Mendoja se droga do ta ndihmonte lidhjen tonë, meqë doja që të bëja seks me të, para se të shkonte në studime. Ai më tha se do t'i pëlqente sikur unë ta provoja drogën që ai ishte duke e marrë". Rebecca-s iu kishin hapur sytë nga tmerri. Ajo ziente përbrenda, duke mos ditur se çka të bënte. "Ti e ke fajin për këtë!", iu kthye Ryanit. "Ti dhe një shembull të keq për motrën tënde, me ato sjelljet tua dreqërore!" "Rebecca!", bërtiti Henry, duke e shikuar atë sikur Rebecca të ishte ndonjë përbindësh. "Kjo është e vërtetë! Ai e vrau babanë e tij, e tani po mundohet që ta vrasë edhe motrën e vet!" "Qepe!", bërtita unë, duke mos mundur të duroja fjalët e urrejtjes të cilat ajo ia drejtoi Ryanit. Me këtë edhe u arrit maksimumi i asaj mbrëmjeje. Ryan dukej personi më i trishtuar në botë. "Ja, përfundimisht e the", tha ai.

(Kosova Sot)