Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (97)

  • 30 April 2019 - 15:29
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (97)

Ryan qau edhe pak, duke u dridhur pa kontroll. Edhe unë qava, meqë kur qan ndokush i vetëm, pikëllimi është tepër më i madh. "Do të shkojmë në shtëpi", pëshpërita në veshin e lodhur të mikut tim. Ryan nënqeshi. "Çfarë shtëpie?! Unë jetoj në veturë!" U vrenjta dhe e putha në ballë. Ai mohoi me kokë dhe u ngrit, me lëvizjet e një të dehuri. "Ti rri këtu. Po shkoj që t'i marr palltot tona". Shkova kah dhoma e gjumit të Jake-s dhe pash se edhe njerëz të tjerë ishin duke dalë. Fillova të kërkoja nëpër palltot e hedhura në shtrat dhe, kur u nisa që të dilja me palltot tona, u ndesha me Jakeun. Sytë e tij ishin të skuqur, flokët e shprishura dhe në bluzën e tij kishte njolla të shumta. Por, disi, ai vazhdonte që të dukej miqësor, sikur zakonisht. "Hej! Nuk të kam parë gjatë tërë natës! Thash mos ke shkuar edhe në ndonjë ndejë të të pashmit Jake Kenn".

Ai ma dha një buzëqeshje të ëmbël dhe ma fërkoi krahun. Dhashë maksimumin që të dukesha e lumtur. "Po. Kemi kaluar mirë, por më duhet që ta çoj Ryanin në shtëpi …" "Nuk mund të bëj asgjë që të të bëj të më duash, apo jo?", tha Jake. Nuk ishte koha për llafe të tilla. Duhet ta kishte vërejtur shikimin tronditës në sytë e mi. "Më fal. Jam i dehur dhe nuk di çka them". "Jake, ti je një mik i mrekullueshëm", thashë, por ai qeshi. "Por…" Nuk dija çka të thosha. "Por, zemrën time ia kam dhënë dikujt tjetër, e ai, si të ta them, ende nuk ma ka kthyer atë". Ai i ngriti duart në ajër, sikur për të kërkuar falje. "Nuk mund të ma zësh për të madhe, që po provoj". Unë qesha dhe e putha në faqe. "Natën e mirë, Jake." "Hej, dije se ai nuk do të ta kthej më... zemrën", tha ai, duke shikuar në tokë. "Meqë kur një djalë e merr një zemër, sikur që është zemra jote, ai e mban atë përjetë". Përjetë. Çfarë fjale e tmerrshme! Dola nga dhoma e gjumit, për ta parë dikë të cilin shpresoja të mos e shihja kurrë më. "Jace", pëshpërita në vetvete kur pash vëllanë e Danielit me një grup fëmijësh, derisa mbante një qese me tableta në dorë. Për çdo tabletë që e jepte, e pinte një edhe për vete. Filluan që të më merreshin mendtë. Fytyra më digjej. Ai e drejtoi shikimin kah unë dhe shikimet tona u ndeshën. Zemra më theri dhe e ktheva kokën në anën tjetër, duke u nisur në drejtim të Ryanit. Ia dhashë pallton dhe i thash që të ngutej, duhej të largoheshim. Ryan kishte nevojë për një vend, për të qëndruar.

Hymë në veturë, para shtëpisë së Danielit. Ai ende nuk kishte ardhur në shtëpi, por e dija se nuk do të vonohej. Ryan u shtri në ulësen e prapme. "D.m.th., ti dhe Daniel jeni…" "Ishim", thashë duke ofsharë. "Dhe, shenjën e puthjes ta kishte shkaktuar …" "Ai", ofshava përsëri. "Dhe, ai u nda me…" "Mua" Kësaj here Ryan ofshau. "Çfarë idioti! A i ka parë ai sisët tua?!" Qesha me ironi. "Jeep"-i i Danielit u paraqit dhe doja të bindesha që më kishte parë. Vetura e tij u ndal me të shpejtë dhe ai u nis me vrull kah unë. "Ashlyn, çka… çka ndodhi? A je mirë?" Ai m'i pa sytë e fryrë dhe gishtat e tij mi prekën ata. U largova nga prekja e tij. Ai më përqafoi, sikur të mos ishim ndarë kurrë. "A je lënduar?" Mohova me kokë. "Unë… kam nevojë për ndihmën tënde". Ryan doli nga vetura dhe hetova që kjo e frikësoi Danielin. (vijon)

(Kosova Sot)