Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (100)

  • 05 maj 2019 - 16:31
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (100)

Por, deri në fund të ditës, u largua tërë dramaticiteti dhe ai ishte një djalë i cili është i gatshëm që t'i ndihmojë një vajze. Pasi që e hapa derën e banjës, e pashë Danielin duke qëndruar. Kitara e tij ishte mbështetur për muri dhe ai ma dha një buzëqeshje të vogël. "Duhet të bisedojmë", i thashë. Ai bëri me kokë dhe e futi dorën në xhep. Nga aty nxori thikën dhe u nis në drejtimin tim. Unë e ngrita njërën vetull, e ai vazhdonte të qeshte. Me kujdes, ai filloi ta priste mëngën tjetër të bluzës. "Do të bisedojmë. Të premtoj. Por, tani për tani…" Ai e mori mëngën dhe ma vuri në dorë. "Tani për tani, i duhesh Ryanit". Shikova drejt korridorit. Lukthi mu rrotullua. E ula kokën. "Çka duhet t'i them atij"? "Nuk ke nevojë të thuash ndonjë gjë. Vetëm të jesh aty, për të". Ecja me hapa të ngadaltë, e frikësuar. Kur hyra në dhomë, e pashë atë të shkatërruar. Ai ishte fshehur nën batanije. Iu avita dhe rashë afër tij. Sytë e tij të skuqur e të lodhur më shikuan. Ai e mori mëngën nga unë dhe qau në të, me dhembje dhe dënesje. E përqafova dhe e afrova afër vetes. Lotët e tij filluan që të më lagnin. "Në rregull është, Ryan", e gënjeva, duke shpresuar që rrenat e mia një ditë do të bëhen të vërteta. "Mirë je, OK".

KAPITULLI 28

Duke pritur një shans që do të ma ofroje. E di se e kam djallosur punën, Derisa ti nuk doje të ishe as mik me mua. ~ "Romeo's Quest" Nuk kishte gjasa që të bija për të fjetur së shpejti. Ashlyn dhe Ryan përfundimisht kishin filluar të gërhisnin rreth orës tre të mëngjesit. Tani ishte bërë ora katër. Isha afër lavabosë, duke derdhur një shishe vodkë. Aty kishte edhe shishe të pijeve të tjera, të uiskit, rumit dhe uiski skocez. Çdo gjë që Ryan kishte përjetuar natën e kaluar ishte e rrezikshme. Çdo përjetim që ai kishte përjetuar, ishte i rrezikshëm. Gjëja e vetme për çka ai kishte nevojë, ishte që të zgjohej në mes të natës, duke u munduar që ta largojë zhurmën në kokën e tij. Edhe im at mundohej në të njëjtën mënyrë për t'i larguar telashet. Gjëja e fundit që doja, ishte që Ryan të shkonte rrugës së njëjtë, të errët. Ai ishte djalë i mirë.

Disa nga hartimet që ai kishte bërë në shkollë, tregonin se sa i humbur, por edhe sa trim ishte ai. Shpresoja që ai të mos e humbte këtë trimëri. Mendimet më ikën kur dëgjova zhurmën e derës. Hyri Randy, i pasuar nga afër nga Jace, i cili kishte një çantë shpine. Kur Randy më pa, sytë e tij u zvogëluan. "Dan, ende nuk ke rënë?", më pyeti ai, duke i shikuar shishet e zbrazëta të pijeve. Më pas, më shikoi i kapluar nga konfuzioni. "Çka po ndodh?" Unë ofshava. Shikimi im u zhvendos te Jace, i cili kishte sytë e kuq dhe trupin e djersitur. Edhe pse bënte ftohtë, ai nuk kishte veshur pallto. Nga mënyra e sjelljes së tij kuptova se ishte duke përdorë drogë. Randy vërejti reagimin tim. "E gjeta duke ecur rrugëve në Edgewood. Nuk mund ta lija, ashtu... e di"? Jace u ul në një karrige në kuzhinë dhe e përplasi kokën për tryeze. Randy u vrenjt. Mu ofrua më shumë. "Vazhdimisht më ka folur rreth një personi të quajtur Red. Danny, çka mendon. A të duket se përsëri merret me drogë"? Unë nuk u përgjigja, por edhe kjo mungesë e përgjigjes ishte përgjigje në vetvete."Dreq"! Randy mërroli vetullat. (vijon)

(Kosova Sot)