Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (6)

  • 10 May 2019 - 13:30
Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (6)

Kisha shoqëri, por që të gjithë ikën nga unë. Në fund më mbeti vetëm Roberti. Kur provova ta paramendoja të ardhmen pa të, më kaploi një siklet të cilin kurrë më parë nuk e kisha provuar. Mesa arrija të kuptoja, duke ia marrë burrin, unë në fakt i paskam bërë një të mirë ish gruas së tij.

Nëse kështu është sjellë edhe ndaj saj, atëherë ajo me gjasë më ka falënderuar që ia kam hequr qafe. e, si të mos ishte falënderuese? Ia kishte lënë një pjesë të pasurisë, materialisht e kishte siguruar në çdo aspekt dhe ajo mund të jetonte si të donte, por jo edhe unë. Vetë kisha rënë në kurth. Isha tërësisht e verbër. Me kalimin e kohës gjithçka bëhej keq e më keq.

Roberti bëhej gjithnjë e më posesiv, kështu që as në qytet nuk mund të dilja pa të. Thënë të vërtetën, nuk më mungonte asgjë në aspektin material, por nuk isha e lumtur. Nuk mund të bisedoja me gjësendet e shtëpisë, nuk mund t'i qaja hallet me to, e as ato nuk mund të më këshillonin. Asnjë gjë nuk mund të më mbushte me ngrohtësi, e as të më përqafonte.

Më mungonte çdo gjë që më parë e merrja si të gatshme. Martesa më ishte shndërruar në burg, dashuria në urrejtje, e dëshira në ankth. Nuk e njihja veten time. Roberti më kishte bërë sikur që kishte dashur. Bile edhe ngjyrën e flokëve ma zgjidhte ai, sikur edhe mënyrën e grimit. Kur shkonim për të blerë, ai mi zgjidhte rrobat, pa më pyetur a më pëlqenin, apo jo. Në dhomë kisha një grumbull të tërë të rrobave intime, të cilat duhej të shërbenin për ta argëtuar atë, por unë i evitoja ato. Vetmia më brente. Më dukej se, nga dita në ditë, ajo gjithnjë e më shumë më gëlltiste. Rrugëdalja e vetme më dukej lindja e një fëmije. Por, ai kurrë nuk e përmendte një gjë të tillë. po, një fëmijë do të mund të më shpëtonte nga tërë ky kaos. Nuk do të isha e vetme, do ta kisha një gjallesë pranë vetes, një gjallesë të cilën do ta doja dhe e cila do të më donte. Ky mendim më dispononte deri diku. Isha e sigurt që Roberti do të pranonte. Nuk kishte si të më kundërshtonte. Unë isha dobësia e tij e vetme, gjë që edhe vet ma kishte pranuar dhe me kishte dëshmuar me vepra. Menjëherë u zgjova dhe e thirra floktaren e cila gjithmonë vinte te unë. I shkurtova flokët, por vetëm pak. Ngjyra e re i freskoi ato, prandaj me të vërtetë isha e kënaqur me rezultatin.

E dija kur do të kthehej Roberti. Bëra dush dhe u vesha për merak. Vesha atë fustanin e shkurtër, të zi, i cili i vinte në pah të gjitha të bukurat e trupit tim. Mbi trup vendosa atkinë e lehtë të cilën e mbaja gjithmonë pasi që bëja dush. U përkushtova ndaj makijazhit. Pash më pas se ia kisha kaluar edhe vetes sime për nga mjeshtëria e vënies së grimit. Tani më mbetej vetëm ta bindja atë për të bërë fëmijë. Kur erdhi në shtëpi, më shikoi me një shikim të cilin nuk mund ta definoja. - Ky fustan është tepër i shkurtë - këto fjalë donin të thoshin se duhej ta ndërroja, gjë që edhe e bëra. Më pas shkuam në një restorant. Darka kaloi në një atmosferë të nderë.

Gjithmonë ishte kështu kur dilnim. Duhej të kisha kujdes se ku shikoja, në mënyrë që ai të mos e keqinterpretonte shikimin tim. Unë isha e tij dhe tërë vëmendjen duhej t'ia kushtoja vetëm atij. Ai dirigjonte me jetën time dhe me sjelljet e mia. Kur u nisëm për në shtëpi, në automobil, u ktheva kah ai. - Çka mendon për fëmijët? - u mundova t'i bija rrotull. - E, çka do të mendoja? - më pyeti ashpër. - Unë dua të kemi fëmijë - thash me vendosmëri. Roberti heshti derisa arritëm në shtëpi. Më pas m'u kthye. (vijon)

(Kosova Sot Online)