Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (10)

  • 13 May 2019 - 14:49
Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (10)

Dhuratat e shtrenjta, të cilat unë nuk kisha mundësi për t'i blerë për vete, në fillim më pëlqenin, kurse mendimi im rreth Robertit ishte tërësisht i deformuar dhe jo real. Ai ishte princi im në kalë të bardhë. Më dukej sikur gjithmonë kisha dashur dikë si ai, por kisha gabuar. Ai nuk mund ta kontrollonte xhelozinë e vet, e unë nuk dija çka të bëja. Të ndahesha? Ky më dukej një opsion më i keq sesa ai i tanishmi. Nuk kisha mundësi të ndryshoja asgjë, por nuk mund të pajtohesha me të qenit rob, gjë që i kishte edhe anët e veta pozitive. Roberti sillej mirë me mua, ma bënte qejfin në shumë mënyra, por më ngufaste xhelozia e tij, dëshira që të më kontrollonte në tërësi. Kishte momente kur kjo sjellje e tij më zemëronte pa masë, por kishte edhe momente kur arrija ta kuptoja. Ai ishte në moshë të pjekur, e unë shumë e re.

Natyrisht se kishte frikë se do të mbetej pa mua, por vetë mënyra sesi ai sillej ndaj meje, kishte më së shumti të ngjarë që të bënte që ai të më humbte me të vërtetë. Ai duhej të ma kishte dhënë pak liri, duhej të kishte besim në mua dhe gjithçka do të ishte ndryshe. Por, ai kurrë nuk do të ndryshojë.

Sa më i vjetër që të bëhet, sjellja e tij do të jetë gjithnjë e më e rëndë. Si do të mund të duroj? Kafazi, qoftë ai edhe i artë, megjithatë është kafaz. Ai m'i kishte marrë të drejtat, të cilat i takojnë çdo njeriu, me të ardhur në këtë botë. Nën arsyetimin e dashurisë, kisha humbur lirinë, personalitetin tim dhe isha bërë një marionetë në duart e Robertit. Çka më pret? Viteutë tëra të vetmisë, kontrollit, posesivitetit dhe xhelozisë? Nuk kisha arsye t'i gëzohesha të ardhmes, por kam shpresë se, me kalimin e kohës, do të ndryshojë gjithçka. Roberti do të duhet ta kuptojë se duhet të ketë besim në mua. Dua të punoj. Po, po. Dua ta kem një punë. Ndoshta duhet të interesohem më shumë për punën që bën Roberti, ndoshta do të mund të punoja me të? Ai megjithatë do të duhej që të ishte dakord me këtë gjë. Do të më kishte afër vetes, do të mund të më kontrollonte, e unë do të kisha me çka ta kaloja kohën, e jo sikur tani. Me gjasë kjo do të ishte një jetë më interesante për mua.

Por, ka edhe situata shumë më të këqija, e unë vetëm duhet të jem mjaft e mençur që të gjitha gjërat t'i kthej në dobinë time. Do të jetë kjo një luftë për një copë liri, por besoj se mund ta fitoj këtë luftë. Kërkoj shumë pak, prandaj shpresoj se këtë edhe do ta marr. Ndoshta kurrë nuk ndodhë ashtu sikur që presim ne, por ne vetëm duhet që ta shfrytëzojmë atë që e kemi, që të ndihemi më mirë. Unë e di që këtë do ta provoj në të gjitha mënyrat e mundshme dhe shpresoj se do të kem sukses. Në mënyrën time do ta fitoj atë që dua, e Roberti më nuk do të ketë arsye që të kundërshtojë. 

(Kosova Sot Online)