Ngjarje e vërtetë: Dashuria e varrosur në borë (7)

  • 23 qershor 2019 - 15:33
Ngjarje e vërtetë: Dashuria e varrosur në borë (7)

Natyrisht, gjithë kohën i kam bërtitur, sepse ai rrëzim më kishte shkaktuar dhimbje mjaft të forta. Por, në fakt, kjo nuk ishte e tëra. Pasi kishin kaluar disa minuta ne kemi vazhduar që të shëtisim së bashku, e pas një kohe qeni im i çmendur ka vërejtur se shoqja ime, Linda, po vinte me qenushin e tij. Linda ishte një shoqe imja, e cila ngjashëm sikurse dhe unë e shëtiste qenushin e saj. Kjo sepse ajo dhe unë shëtisnim kafshët tona shtëpiake pothuajse në të njëjtin orar, në të njëjtin vend. Kur qeni im e ka vërejtur Lindën pothuajse u çmend nga lumturia. Kishte filluar që të vraponte sikurse të ishte një i çmendur, ndërsa që mua pothuajse po më tërhiqte zvarrë. Me borën e madhe dhe me këpucët që rrëshqitnin sikur të ishin ski nuk ke nevojë dhe nuk duhet të jesh shumë i mençur ta kuptosh se çfarë do të ketë mundur të ndodhte më pas.

Kam rrëshqitur në sipërfaqen e borës, në fakt e kam përqafuar borën me gjithë trupin tim. Nuk munda ta mbaja më, kam lëshuar zinxhirin, ndërsa qeni im vrapoi tutje ta takonte edhe ai miken e tij. Ishte kjo një nga ato mbrëmjet që njeriu nuk mund t'i harrojë kurrë. Përkundër kushteve të këqija dhe rrugët përplot me borë dhe akull, në borë kam vërejtur shenjat e gjakut. E kam ditur, ishte gjaku im, vetëm se ishte çështje kohe ta vërej se prej cilës pjesë të trupit dhe prej nga po më dilte gjaku. Isha jashtë vetes dhe shumë e tmerruar dhe mllefosur me qenin tim. Pikërisht në momentin kur jam munduar të ngrihem, prapa vetes sime kam dëgjuar një zë të bukur të mashkullit. - Zonjushë, a mundem t'ju ndihmoj? Po ju përcjellja nga pas dhe e pashë se çfarë po ndodhte. Më jep dorën - më tha babai yt.

Kam pranuar atë dorën shpëtimtare, e cila më ndihmoi të ngrihem. Nga brendësia e palltos, babai yt ka nxjerrë disa lecka prej letre, me njërën dorë m'i ofroi leckat, ndërsa me tjetrën po më mbante për shpine derisa të forcohesha me të dyja këmbët në tokë. E para që kam ndier tek ai ishte aroma e tij. Që moti nuk kisha ndier një aromë të tillë te një mashkull. Që aty më erdhi keq si u takuam në një situatë aq të pakëndshme për mua. Por, vetëm kur e kam shikuar në sy dhe kam vërejtur sytë e tij të kaltër, unë që aty isha në qiellin e shtatë. Pothuajse jam dashuruar në të që në shikim të parë. Ishte kaq i bukur, i rregulluar dhe më kishte ndihmuar në telashin në të cilin gjendesha. - Për të gjitha është faji i qenit tim. Me të vërtetë nuk po mundem më ta duroj. Nuk po mundem që të vrapoj gjithmonë pas tij. Më duket se kam vendosur që përfundimisht ta heq qafe. Unë ju falënderoj juve, ju falënderoj nga zemra ime. Ende askush nuk më ka ofruar ndihmë - unë ju falënderova sinqerisht. - A je mirë tani? A më thoni nëse jeni lënduar apo nëse keni dhimbje, sepse i kam parë disa pika gjaku aty afër teje. Unë nuk banoj larg nga këtu dhe po deshët do të marr veturën dhe përnjëherë do t'ju dërgoj te mjeku, në mënyrë që të bindemi se nuk keni thyer apo dëmtuar ndonjë pjesë të trupit tuaj. Nëse dëshironi mundem t'ju dërgoj drejt e në shtëpinë tuaj.

- Nuk ka nevojë, ju faleminderit shumë. Jeni shumë i sjellshëm, por nuk ka nevojë. Do të jam mirë unë, së paku kështu po shpresoj se do të jam mirë - ia thashë unë këto fjalë, e më pas ndalova aty për të biseduar, duke ia shpjeguar të gjitha veprimet e qenit tim të çmendur. Ai më kishte dëgjuar me kaq shumë vëmendje të gjitha ato që unë kisha për t'ia treguar. Ai më pas më ka treguar se kishte parë rrëzimin tim të parë, por gjithashtu e kishte parë edhe rrëzimin tim të dytë. /vijon/


(Kosova Sot Online)