Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magji (3)

  • 15 July 2019 - 14:29
Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magji (3)

Disa herë kishte hyrë në shtëpi derisa ajo kishte seancat e veta, duke përzënë me zemërim gratë që kishin ardhur për të kërkuar ndihmë. Në ato momente i isha më shumë sesa falënderuese dhe e mbështesja me mendime. - Mos m'i sill më ato gra të budallepsura dhe të moshuara, a më dëgjove!? - Bërtiti Tomori, gjë që nuk e kishte zakon ta bënte. - Mos ashtu, bir! Ato gra na sjellin para - arsyetohej ajo. - Ato janë para të ndyta dhe të mallkuara! - tha ai, duke e shtyrë ashpër në një rast, gjatë grindjeve të tilla. Ajo kishte frikë nga reagimi i tij, prandaj në të ardhmen kishte më shumë kujdes që ai të mos ishte në shtëpi gjatë seancave. Më ai nuk e zuri duke bërë gjëra të tilla, por Ariani dhe unë e dinim shumë mirë të vërtetën. Heshtnim meqë kishim frikë se edhe neve do të na e bënte ndonjë të zezë. Për fat, asokohe Ariani gjeti punë si postier, kështu që mund të ndaheshim dhe të përgatitnim ushqim për veten tonë. Kishim shumë kujdes që të mos hanim gjellët e saj, sidomos nëse ajo nuk i kërkonte ato e para.

Për këtë shkak, hanim në kohë shumë të parëndomta. Ndonjëherë edhe gjatë natës, derisa ajo flinte. Tërë këtë e bënim vetëm për t'i ikur rraxhës, apo grindjeve me të. Para nesh gjendej një sfidë e madhe dhe martesa jonë ishte vënë në sprovë mu për këtë shkak. Duhej duruar krejt atë që bënte ajo, duke u kujdesur që kjo të mos ndikonte në raportin tonë dhe që ne të mos grindeshim midis veti. Ishte ky një presion i madh. Meqë ajo donte që të përzihej në gjithçka, shpesh dinte të shpikte gjëra dhe t'i thoshte Arianit të më linte, meqë sipas saj, nuk isha grua e ndershme. Për fat, Ariani më besonte mua, sikur që unë i besoja atij. Dashuria jonë ishte më e fortë sesa shpifjet e saj. - A erdhe, a? - më pyeti Ariani një pasdite, pasi që u ktheva nga shëtitja. - Po, por ndihem disi e lodhur - i thash, duke u ankuar. - Merita përsëri shpiku një rrenë të re. Më tha se dje, kur ishe vetëm, te ti erdhi fqinji ynë, Marku - më tha ai, sikur me dyshim. E shikova duke mos mundur t'iu besoja veshëve. - Qysh!? Shpresoj të mos i besosh. Javën e kaluar ajo tha po ashtu se unë isha te ai. Ajo është çmendur tërësisht! - Jo, nuk i besoj! E di se ti më do dhe, mezi pres ditën kur do të ikim nga këtu - tha ai, duke e qitur fytyrën mbi duar. Dukej tepër i lodhur. U afrova dhe e ledhatova. - A e di se kohëve të fundit ankohem sesi jam e lodhur dhe çdo gjë më vjen vështirë!? - fillova me kujdes. - Po? - më tha ai, duke më shikuar me çudi. - Ja, më duket se jam shtatzënë.

Javën e kaluar isha te mjeku, e jo te Marku - i thashë me butësi, derisa fytyra e tij u entuziazmua. Më përqafoi. - Faleminderit, e dashur! Më bëre njeriun më të lumtur në botë - tha ai, derisa i dolën lotët. Më dolën edhe mua. Por, frika për krijesën e vogël që e bartja në bark, sa vinte e rritej. Vazhdimisht e pyesja veten a do t'i bënte ajo keq fëmijës tonë. Për fat, ajo shumë vonë kuptoi se isha me barrë dhe dukej se kjo nuk i interesoi fort. - Për hair ju qoftë! Tani edhe ju do ta shihni se çka është evlati - tha ajo duke qeshur me ligësi, sikur të kishe fëmijë të ishte gjëja më e keqe në botë. - Dhe, vetëm ta dini, unë nuk do ta mbajë kopilin tuaj - shtoi me një zë më të ulët. Si Ariani, po ashtu edhe unë, vendosëm që t'i injoronim fjalët e saj. Atë mbrëmje kur Tomori u kthye në shtëpi, ajo menjëherë i tregoi se do të kemi fëmijë. - Ja, vëllai yt do të bëhet baba. E ti, çka po pret? - e pyeti. - Ik nga unë, shtrigë! - i tha ai me zemërim. - Ja çka të bën fëmija - tha ajo - gjatë tërë jetës përkujdesesh për të dhe e rrit, e ai të quan shtrigë. (vijon)

(Kosova Sot Online)