Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magji (6)

  • 18 July 2019 - 15:21
Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magji (6)

Sapo Merita doli nga shtëpia, e derdha ujin në një kanal aty afër, kurse përmbajtjen që mbeti në fund, vendosa ta digjja. Qyshkur isha fëmijë, më kujtohet që gjyshja ime gjithmonë i digjte gjërat e tilla. E bëra këtë pas shtëpisë, që të mos më shihte kush. Nuk doja ta prisja natën, më duhej që ta bëja këtë sa më parë. Kuptuam sesi Merita në këtë mënyrë donte t'i jepte fund jetës së Arianit. Trupi i tij edhe ashtu i dobët, me gjasë do të mposhtej nga sëmundja. Pas asaj dite e kisha vështirë të flisja me të. E evitoja dhe e injoroja. Ajo duhej ta kishte vërejtur këtë. Duke qenë se Ariani gjithnjë e më shumë e merrte veten, afrohej dita e kthimit të tij në punë. Merita ishte gjithnjë e më e pakënaqur meqë gjërat nuk ishin zhvilluar sikur që kishte planifikuar ajo

- Ariani ishte gjallë! Një herë më pyeti a doja që ajo të ma ruante vajzën derisa unë mësoja. Pranova, meqë Ariani nuk ishte aty, e nesër e kisha provimin. Mësova në dhomë një kohë, e më pas shkova në kuzhinë për të hëngër diçka. Merita dhe Dëbora gjendeshin në sallon dhe nuk më dëgjuan. U afrova tinëz afër derës, për të dëgjuar se çka ishin duke thënë. Edhe pse e dija se Merita e donte Dëborën, megjithatë frikohesha për të. - Çka na duhen neve të tjerët, kur e kemi njëra-tjetrën - i thoshte Dëborës e cila tanimë kishte gati tri vjet. - Nëna? - tha Dëbora. - Nuk na nevojiten neve as nëna, as baba. Do t'i heqim qafe ata, vetëm na pengojnë -toni i saj i zërit ishte më se serioz. - Gjyshja të do vetëm ty dhe ti do ta duash vetëm gjyshen - i thoshte duke ia lëmuar flokët, e unë mbeta e tmerruar. Me qëllim e pastrova fytin me zë, për t'ua bërë me dije se isha afër. - Hajde Bora, shkojmë për të fjetur - thash dhe e qortova me shikim Meritën. Edhe pse as deri tani nuk e kisha lejuar që ta ruante Dëborën për një kohë më të gjatë, tani i premtova vetes që këtë kurrë nuk do ta bëja më. Kur u kthye Ariani në shtëpi, ia tregova të gjitha, e ai vetëm buzëqeshi me hidhërim. - Për ty kjo është qesharake? - e pyeta e tmerruar. - Jo, jo. Por diçka tjetër. Kam lajme të mira - vazhdonte ai të më shikonte me gëzim. - Çfarë lajmesh!? - Të kujtohet kur të thosha para një muaji se kisha dorëzuar lutjen në Ambasadën e Gjermanisë? - e pyeti me padurim. - Po, më kujtohet. Edhe? - Tani më kanë pranuar në punë. Do t'ia filloj nga java e ardhshme - e tha këtë me krenari. Bërtita nga gëzimi dhe e përqafova, e Dëbora na shikonte me habi. - Kur më kujtohet sesi të kam thënë se kurrë nuk do të të pranojnë në këtë vend pune! - thash duke e qortuar veten. - Fillo ta kërkosh një banesë, përfundimisht do të mund të jetojmë si njerëz.

Rroga ishte e mrekullueshme! - fliste ai i eksituar. - O Zot, faleminderit! Do ta heqim qafe Meritën!, thash. - Po, sa më larg shtrigës plakë! - u pajtua ai me mua. Ende pa kaluar një muaj gjetëm një banesë dhe u vendosëm në të. Merita u kaplua nga tronditja dhe qau kur u ndamë. E përqafonte me tërë fuqinë Dëborën dhe shihej se e kishte të vështirë të ndahej nga ajo. Por, fare nuk mërzitesha për këtë. Tani vetëm edhe mua më kishte mbetur që të diplomoja dhe sa më shpejt ta gjeja një punë. Banesa që morëm me qira ishte e vogël, por për ne ishte si xhenet. Që nga dita e parë u ndjeva e relaksuar, meqë përfundimisht ishim në vendin tonë. Gjithçka dukej kaq mirë, por pas disa javëve fillova që të kisha probleme të çuditshme psikike. (vijon)

(Kosova Sot Online)