Roman dashurie: Lulet e djegura (18)

  • 03 August 2019 - 15:12
Roman dashurie: Lulet e djegura (18)

Ti je shpëtimtar jetësh", tha ajo, e gatshme që ta përqafonte. "Më duhesh menjëherë. Ka shumë rëndësi që t'ia filloj punës menjëherë. Sa kohë mendon se do të nevojitet"? "Disa javë", u përgjigj ai, me një buzëqeshje tekanjoze. "Por, sapo të përfundojnë punët serioze, ju mund ta hapni dyqanin me një orar të kufizuar, ku unë mund të vazhdoj punët edhe në prani të klientëve. Do të shohim. Më duhet që të dal, t'i marr ca gjëra dhe do të kthehem më pas. Kam kohë të lirë dhe ndoshta mund t'ia filloj menjëherë".

Clarke e shikonte atë duke u larguar, me ç'rast konstatoi se ecja e tij kishte me të vërtetë njëfarë hijeshie. "Oh po, do të shohim", pëshpëriti ajo për vete para se të shkonte në një lokal aty afër. I duhej të hante dhe të pinte kafe, në rast se do të vendoste që të qëndronte tërë ditën dhe ta mbikëqyrte punën e tij. Ajo solli ca llamba me bateri, për çdo rast. Pa marrë parasysh sa impresive ishin fjalët e tij, ai ende nuk ishte i licencuar dhe ajo nuk mund t'ia lejonte vetes që ai të bënte gabime. Dhe, edhe pse ende nuk ia pranonte vetes, Clarke do të donte që ta kalonte një natë me të.

Clarke ia kishte ngulur sytë Vince-it dhe nuk mund t'ia shqiste. Ajo mendonte për të, derisa e shikonte duke punuar. Më nuk i dukej aq tërheqës sikur në fillim, tani kur fishkëllente duke punuar. Dukej i kënaqur derisa punonte avashavash. Në punën e tij nuk kishte as rimë, e as ritëm, derisa ai injoronte çdo flirt nga ana e saj. Kjo e nervozonte Clarke-n aq shumë, sa që, sikur të mos kishte nevojë të madhe për të, do ta pushonte menjëherë nga puna. Por, duke u bazuar në mënyrën sesi ai punonte,

Clarke nuk mund të ishte e sigurt se ai do ta bënte punën sikur që duhej. Ajo donte që të largohej, duke ia lënë atij çelësat, që ta mbyllte lokalin pasi që të kishte mbaruar. Ta shikonte atë duke u ndotur, nuk përputhej aspak me imagjinatën e saj. "Pse po nguteni?", e pyeti ai, duke e shikuar disi çuditshëm. "Urdhëro?", e pyeti ajo, duke u ndier edhe më e mërzitshme tani, kur ai vendosi që të fliste me të. "A ekziston ndonjë rregull që të mos flasim, a?", pyeti ai, duke qeshur paksa. Ai kishte më shumë sens humori, sesa një punëtor, i cili largon pasojat e një zjarri. "Dua të them, meqë insistoni që të jeni këtu derisa unë punoj, kjo d.m.th. se do ta kalojmë një kohë të gjatë bashkë. Ndoshta edhe njihemi me njëri-tjetrin". Ai papritmas rrudhi supet dhe iu kthye punës, sikur të mos mërzitej fort se çka do të vendoste ajo. "Dua të them…" Clarke nuk dinte çka të thoshte. Ajo nuk e kishte shprehi që të afrohej kaq shumë me njerëz të panjohur, sidomos jo me meshkujt. Prandaj, nuk donte t'i tregonte se tërë kjo kishte të bënte me nënën e saj. "Thjesht, nuk dua të mbetem pa punuar.

Po afrohen Pashkët dhe mbrëmja e maturës dhe e dasmave. Prandaj, duhet gjithsesi ta hapi dyqanin sa më shpejt". Ajo mbaroi, duke mbetur e kënaqur me atë që tha.

(Kosova Sot Online)