Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (8)

  • 09 August 2019 - 15:14
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (8)

Elvira tha se nuk i kujtohej që ndonjëherë dhe ndokund të kishte mbetur si mysafirja e fundit. Desha ta përcillja për në shtëpi, por refuzoi. E luta që të ma linte numrin e telefonit, por edhe kjo punë dështoi. Nuk ma dha, kështu që u ndamë para kafenesë dhe secili shkoi rrugës së vet. Me ditë të tëra kam menduar rreth asaj gruaje jo të rëndomtë. Më shumë se çdokënd tjetër në botë, doja që ta takoja sërish. Për fat të keq, nuk dija nga t'ia nisja. Një muaj pas atij takimi, krejt rastësisht mu desh që të shkoja ta vizitoja tim atë në spital. Nëna më thirri urgjentisht, duke ma kërkuar çelësin e shtëpisë, meqë të sajin e kishte harruar në sallon. Babai ishte në ndërrim të dytë në spital. Kishte kohë që nuk kisha shkuar ta vizitoja atë në punë, prandaj mu desh që ta pyesja një infermiere se ku mund ta gjeja. U nisa rrugës që ma tregoi dhe e gjeta dhomën ku ai ishte në vizitë. Trokita në derë, e kur babai e ktheu kokën, unë ia bëra me dorë. Ishte i befasuar që më shihte aty dhe më luti që ta prisja. Ai filloi që t'ua shikonte letrat të gjithë pacientëve. Unë rrija në derë dhe e vështroja.

Në atë moment, sytë më mbetën te shtrati, i cili gjendej afër dritares. Aty rrinte e shtrirë Elvira. Edhe ajo më pa dhe shikimet na u ndeshën. Menjëherë mu kujtua biseda të cilën e kishim bërë atë mbrëmje. Nuk dija çka të bëja. Prita që babi me kolegët e tij ta mbaronte vizitën, e kur u nisën kah dera, hyra në dhomë. - Demir, çka ke? Ku shkon? Hajde në ordinancën time - më tha ai duke më shikuar me habi. - Baba, prit një moment. Kjo është shoqja ime, Elvira - i tregova derisa i afrohesha asaj. - Elvira, si je? Çka ke? Ku të dhemb? - i bëja pyetje pas pyetjeje dhe doja që sa më parë të merrja përgjigjet në ato pyetje. - Mirë jam. Doktori është yt atë? - nuk i kishte ikur asaj asgjë. Pohova me kokë. - Çfarë sëmundjeje ke? Baba, mundohu me çdo kusht që Elvira të lëshohet sa më parë nga spitali - thashë, i shqetësuar që femrën e vetme që kishte ngjallur emocione te unë, e takoja në spital. - Demir, nuk kam shumë kohë. A po vjen me mua? Më vonë mund të kthehesh tek Elvira. E shikova Elvirën, nuk kisha dëshirë që të shkoja me babanë dhe ta lija atë vetëm, por më pas mu kujtua arsyeja e vërtetë pse kisha ardhur këtu. Shkova me babin dhe, rrugës për në zyrën e tij, ia tregova arsyen pse kisha shkuar. Ai më tha me mërrolje sesi nëna ishte duke harruar gjithnjë e më shumë. Më prezantoi para kolegëve të tij, bile duke iu folur me krenari për punën time, gjë që ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme.

Sikur të mos isha i shqetësuar rreth Elvirës, me gjasë do të rrija më shumë me babanë, meqë kurrë nuk e kisha parë të tillë. Atë më parë vetëm e bëja që të turpërohej nga unë, prandaj fjalët e mira që m'i drejtonte atë ditë, ishin më se të këndshme për veshët e mi. Harrova që ta pyesja se çfarë sëmundjeje kishte Elvira, por shkova me vrap te dhoma e saj. - Elvira, sa i lumtur jam që të shoh përsëri. Çka ke? Kur do të lëshohesh nga spitali? - e pyeta. - Jam e sigurt se edhe ti e di që, pacientëve të babit tënd, nuk iu shkruhet ndonjë prognozë e mirë. Vuaj nga leukemia dhe ditët i kam të numëruara. Nuk flisja pa arsye atë mbrëmje, vetëm sa për të folur - tha me zë të qetë. - Mos u jep para mendimeve të errëta. Derisa je gjallë, ekziston shpresa. Do t'i them babit që të bëjë çkado që të mundet për të të ndihmuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)