Roman dashurie: Lulet e djegura (26)

  • 12 gusht 2019 - 15:10
Roman dashurie: Lulet e djegura (26)

A nuk do të duhej të ndiheshe e nderuar? Unë nuk do t'i kushtoja rëndësi të madhe kësaj", tha Vince duke futur edhe një keks në gojë. "Kështu, çka duhet të di unë rreth kësaj dreke, apo rreth nënës tënde, apo rreth çdo gjëje tjetër?" Sikur ajo të mos ndihej mjaft e mërzitur dhe e shqetësuar, gjakftohtësia me të cilën ai fliste rreth kësaj teme, vetëm sa bënte që ajo të ndihej sikur çdo moment mund të përjetonte krizë nervore. "Shiko, unë ta ofrova në rrugëdalje dhe ti mund të largohesh ende, nëse nuk mund ta marrësh seriozisht këtë punë". "Clarke, mund të të them se ky është një burim i shumë ndjenjave negative për ty, por sikur ne të shtiremi kinse jemi bashkë, atëherë duhet të mësohesh që të jesh më e relaksuar dhe, herë pas here, të sillesh në mënyrë më pak të parashikuar". Ajo ishte gati që ta godiste përsëri atë, por nuk ishte në të vërtetë e zemëruar në të.

Ai ishte thuajse një i huaj dhe kishte ardhur për ta shpëtuar atë. "Mirë, mirë. Më fal! Thjesht, për 33 vitet e fundit ajo më bën që të dukem e pasuksesshme dhe ajo do të të trajtojë edhe ty në të njëjtën mënyrë, po të mos përgatitemi". "Me të vërtetë të ka lënduar, apo jo? Por, përkundër kësaj megjithatë të intereson se çka mendon ajo. Është interesante kjo, apo jo?" Ajo pohoi me kokë. Ky ishte realiteti i saj i hidhur. "Çka ka kaq keq në lidhje me të?" "Asgjë nuk është mjaft e mirë për të dhe ajo nuk beson se unë jam e aftë të punoj ndonjë gjë. Mendoja se, me anë të dyqanit do ta bindja se e kishte gabim, por ende nuk kam mundur ta arrij këtë. Sidoqoftë, ajo është avokate, prandaj nuk dorëzohet pa fituar. Përgjatë viteve ka bërë shumë miq nga shtresat e larta të shoqërisë, por mos më pyet si. Ajo shkon në ndeja me ta, ku ato ndeja janë formale dhe të mbushura me ushqime të shtrenjta pa lidhje, ku kryesisht flitet për para dhe pushime. Ndonjëherë flasin edhe për fëmijët e tyre, sa për t'u mburrur me të arriturat e tyre. Ajo mundohet ta kompensojë faktin që unë nuk kisha as nuk kam ndonjë të arritur të veçantë. Por, unë mendoj se ajo të ftoi ty meqë nuk më besoi atë çka thash. Ajo e di se unë nuk lidhem me meshkuj aq lehtë. Ajo dëshiron që të na ekspozojë para të gjithëve, ku njëri prej nesh do të gjendej në një siklet aq të madh, sa që do t'i tregonte të gjitha". "Ashtu si e shoh situatën, i kemi dy mundësi.

Ose e demantojmë atë dhe me të vërtetë fillojmë që të takohemi, ose në fund të mbrëmjes e shpallim veten aktori dhe aktorja më e mirë e vitit", tha Vince duke e shikuar atë në një mënyrë të çuditshme dhe vazhdoi "Çka dëshiron të thuash se ti nuk lidhesh me meshkuj aq lehtë?", pyeti Vince me kureshtje. "Kjo nuk ka rëndësi", u përgjigj ajo, meqë tanimë ishte edhe ashtu tepër e ndjeshme. "Nëse nuk di asgjë për ty, sidomos për lidhjet e tua të kaluara, atëherë do të jetë evidente se jemi duke gënjyer. Do të thosha se kjo ka rëndësi të madhe". Ajo e dinte se ai kishte të drejtë, por t'ia shpjegonte jetën e dashurisë një të huaji, nuk i pëlqente aspak si ide". "Unë as që dal me meshkuj, kupton? Më mjafton ndonjë mashkull tek e tuk në shtratin tim dhe, e tëra mbaron me kaq. Më nuk takohem me asnjërin prej tyre, përpos nëse më duhet ndonjë gjë". (vijon)

(Kosova Sot Online)