Roman dashurie: Lulet e djegura (28)

  • 14 August 2019 - 15:26
Roman dashurie: Lulet e djegura (28)

Asaj kurrë nuk i kishte hyrë ndonjë burrë në veturë, kështu që kurrë nuk e kishte ditur sa pak hapësirë linte në anën e majtë të shoferit. Ai u nis për në adresën të cilën ajo e kishte shkruar në GPS dhe ata rrinin në heshtje derisa ai përfundimisht nuk e ndezi radion. Tani, në vend se të fishkëllente, ai këndonte edhe atë jo me kushedi çfarë kënge, por me atë "Sweet Child of Mine", të "Guns N Roses". Zëri i tij ishte me të vërtetë i mirë, por ajo vendosi që ta injoronte këtë dhe të shikonte nga dritarja, duke shikuar apartamentet dhe shtëpitë me madhësi mesatare. Ajo kishte filluar të mendonte se, me gjasë, nëna e saj i kishte kthyer tanimë të gjithë kundër saj. Me gjasë ata nuk kishin ndonjë kujtim të mirë për të. Sapo arritën aty, ajo filloi që të mos ndihej mirë dhe filloi që të mbahej për Vince-s derisa ecnin deri te dera e kaltër, e mbylltë, e cila çonte deri te dhoma ku do të vendosej për fatin e saj. A do të arrinte nëna që ta kuptonte situatën, apo do ta turpëronte atë? Fatmirësisht, nuk ishte nëna e saj ajo që e hapi derën. Ishte një njeri i gjatë me kostum, i cili dukej sikur të kishte qenë aty për nja 50 vjet, një shërbëtor.

Ai ua bëri me shenjë që të shkonin në kuzhinë, ku një grup njerëzish të veshur së tepërmi, pinin shampanjë. Clarke vërejti të ëmën në krye të dhomës, duke biseduar me Coleman-ët. Asaj i ndeshi shikimi me atë të ish të dashurit dhe e largoi shikimin menjëherë, duke shtrënguar më shumë dorën e Vince-s, instinktivisht. Shpresonte që e ëma tanimë të mos kishte biseduar me të, duke ia ngjallur një urrejtje edhe më të madhe. "Oh, Clarke!" e thirri e ëma, duke çarë turmën për të shkuar te ajo, duke bërë që të gjithë ta kthenin kokën dhe ta shikonin. Ishte hera e parë që nëna qoftë edhe shtirej të entuziazmohej nga prania e saj. E ëma iu afrua dhe e puthi në të dy faqet, sikur të ishte ndonjë yll francez i filmit. Clarke nuk u përgjigj, por bëri vetëm një buzëqeshje indiferente në fytyrë.

Zonja Bennett kishte veshur një gëzof i cili e bënte Clarke-n që të ndihej e trullosur. "Po shoh që e paske marrë edhe të dashurin me vete", i tha e ëma, duke ia shkelur syrin. Do të ishte më vështirë ta bindë të ëmën, sesa që kishte menduar. Vince ia lëshoi dorën dhe ia qiti dorën e tij rreth trupit. Clarke pasqyronte qëndrimin e tij, duke marrë informata nga ai. Ai dukej të ishte më bindës sesa që ishte ajo. "Është mirë t'ju shoh përsëri, zonja Bennett", tha Vince, duke e përshëndetur atë me kokë. Zonja Bennett e analizoi një herë me shikim, e më pas iu përgjigj. "Edhe mua më vjen mirë", tha ajo, pa e zgjatur më shumë. "Tani, kur jemi të gjithë këtu", tha ajo me zë të lartë, sikur të donte t'ua bënte me dije të gjithëve se të gjithë ishin duke i pritur Clarke-n dhe Vince-n, sikur ata të kishin ardhur me vonesë, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. "Mund të ulemi të gjithë dhe t'ia fillojmë". Ajo bëri me dorë, duke ftuar çiftin që të uleshin në dy karrige, të cilat mbanin emrat e tyre. Kjo bëri që Clarke të gjendej midis Vince-s dhe të ëmës dhe përballë familjes Coleman. Ishte e qartë se kjo ishte bërë me qëllim. (vijon)

(Kosova Sot Online)