Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (3)

  • 14 August 2019 - 15:30
Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (3)

Faktin që para mbledhjes shkova te stilisti dhe manekinia, nuk ia përmenda askujt. Pas një shoqërimi tjetër tonë, u binda që ai ishte shpirti im binjak. Por... ishte më i ri se unë dhjetë vjet! Këtë e mora vesh gjatë bisedës, por unë nuk i zbulova vitet e mia. Ai, megjithatë, kishte menduar se ishim moshatarë. Dhe, tani mendoja se kishte njëfarë "kimie" midis nesh. Por, edhe një dallim i madh në moshë. Si dhe, unë jam e martuar, nënë dhe grua përgjegjëse. Shumë shpejt filluam që t'i drejtoheshim njëri-tjetrit me 'ti' dhe ai, gjithnjë e më shpesh ma bënte me dije që i interesoja si femër. Unë nuk e fshehja faktin që jam e martuar dhe kam një fëmijë, por kjo sikur nuk i interesonte atij. Ai më tha se sapo ishte shkurorëzuar. Kur mendova më pas me të, kuptova se ai ishte një shpirt i lënduar, i cili tani kërkon dikë për t'u shëruar. Kjo dmth se kisha ardhur në momentin e duhur dhe kisha bërë me dije se e konsideroja të ishte i pashëm.

Por... nuk kam ndërmend që të lëshohem për seks dhe aventurë të atij kalibri! Vetëm dëshiroj që të bisedoj dhe të këmbej mendime. Ndoshta atij i interesonte vetëm ajo e para. Me qëllim të largimit të dyshimeve dhe paqartësive, më së miri ishte që t'ia shfaqja situatën time dhe qëllimet e mia. Por, si ta bëja këtë, kur ai ende nuk kishte kërkuar asgjë nga unë? Kisha vendosur që, gjatë shoqërimeve tona, t'i përmendja më shumë burrin dhe djalin tim. Shkarazi, shoqërimet profesionale më nuk ishin të tilla, meqë punën e kishim kryer kaherë. Kështu që, me gjasë, do të kuptojë se nuk jam material i mirë për dashnore. Por, ai ishte këmbëngulës, më saktësisht, gjithnjë e më këmbëngulës. Sa më shumë që zbuloja rreth jetës sime, rreth martesës dhe fëmijës, aq më i drejtpërdrejtë bëhej ai. - Mina, e di që ti je një grua dhe nënë shembullore. Por, mu për këtë shkak nuk mund të të rezistoj. Pranoj që, në shikim të parë, më je dukur grua ideale. E pjekur, e vetëdijshme, një grua që di se çka kërkon nga jeta, e çka nuk kërkon - papritmas ai i shfaqi ndjenjat e veta. Nuk isha e përgatitur për një gjë të tillë. Deri më tani vetëm me rrotulla ma kishte bërë me dije se i pëlqeja, por tani ai e tha këtë edhe haptazi. Dhe, krahas kësaj, ai më kishte shikuar në sy, duke mos i rrahur qerpikët. Unë vetëm doja që të vazhdonim ende me lojën e maces dhe miut. Nuk isha e gatshme për një deklaratë të hapur. Humba e tëra dhe fillova që të belbëzoja: - Zuka, unë nuk jam material për aventurë. Kërkoj falje nëse të kam dhënë ndonjë shkas. Më duhet të pranoj, ti je i pashëm, por unë nuk mundem - me ta thënë këtë, u ngrita, mblodha gjësendet e mia dhe ika, pa u kthyer prapa. Të nesërmen, më priti emaili. Deri pasdite nuk pata forcë që ta hapja. E dija se më së miri ishte sikur ta fshija atë dhe, thjesht, ta mbyllja atë kapitull. Nuk e fshiva, por e hapa. 'Më fal, më fal, më fal! Mos ik kështu nga jeta ime. Të lutem!' - shkruante aty. Nuk u përgjigja. Më pas ai ma dërgoi një sms. Që më parë ishim marrë vesh që ta evitonim komunikimin me telefona. Mua më përshtatej kjo - në mënyrë që burri im të mos fillonte të më bënte pyetje të tepërta.

Nëse Zuka do të vazhdonte me këto mesazhe, atëherë kjo do të ishte një situatë tepër e rrezikshme. Do të më duhej t'i përgjigjesha dhe, megjithatë, të takohem edhe një herë me të. 'Dua vetëm të të shoh. As këtë nuk mund të ma japësh?' - ishte këmbëngulës. Iu përgjigja dhe u morëm vesh që të takoheshim te vendi i vjetër. Isha e vendosur që çdo gjëje t'i jepja fund. Isha e vendosur derisa nuk e pashë në gjysmëdritë. Kishte një fytyrë të zbehtë, të lodhur. Ishte i frikësuar dhe vuajtja dilte nga çdo pore të qenies së tij. (vijon)

(Kosova Sot Online)