Roman dashurie: Lulet e djegura (32)

  • 18 August 2019 - 15:15
Roman dashurie: Lulet e djegura (32)

Jo në fakt; çka ke në mendje?" pyeti ajo duke e befasuar edhe veten. Ai me të vërtetë e kishte shpëtuar atë derisa ishin atje dhe kjo i kishte bërë asaj përshtypje. "Epa, mendova se do të të ishte i mirëseardhur pak argëtim, por harrova se ti nuk e di domethënien e kësaj fjale", e nguci ai, duke ia shkelur syrin. "Thjesht, pyetja veten a do të më lije që të të dërgoja diku", sqaroi ai. Clarke i rrudhi supet, duke ditur se më me qejf do të shkonte në shtëpi, duke qëndruar vet me veten e saj. Por, nëse ata ishin shtirur sikur ishin në lidhje, atëherë pse të mos ia jepte këtë rast? "Në rregull, por dije, ky nuk është një takim". "Oh, natyrisht se jo", u përgjigj ai duke qeshur, derisa ajo "përqafoi" veten, pasi që automobili bëri një kthesë të madhe në autostradë. "Pra, ku po shkojmë?", pyeti ajo, duke e shikuar atë me dyshim. "A ke qenë ndonjëherë në Tukaho?"

Tukaho ishte një qytet në perëndim të Riçmondit. "Jo, nuk është se dal tepër". "Mos më thuaj?", e nguci ai përsëri, duke ia mësyrë kah dalja e qytetit. Ajo vlerësonte faktin se ai përpiqej që t'ia përmirësonte disponimin, "atëherë ky do të jetë një shok i vërtetë kulturor për ty", tha ai, duke qeshur dhe duke shkelur gazin deri në fund. Vozitja e tij nuk është se dallonte shumë nga vozitja e saj, por kishte një qëllim krejt tjetër prapa. Clarke u mbështet mirë dhe u kredh në mendime, derisa Vince e ndezi radion, duke kënduar bashkë me çdo këngë që dilte. Edhe ajo e dëgjoi veten duke murmuritur me disa këngë, por jo aq me zë, saqë të mund ta dëgjonte edhe ai. Nuk vonoi dhe ata dolën nga autostrada, te shenja "Mirë se vini në Tukaho". Ajo shikonte nga dritarja derisa afroheshin te qendra historike e këtij qyteti. Kishte vetura dhe kalimtarë të shumtë. Disa njerëz bllokonin një pjesë të rrugës dhe ajo mund të dëgjonte muzikën që me gjasë vinte nga kafenetë dhe dyqanet. Vince u ndal në një parking ku veturat rrallë ndalonin dhe i ndihmoi asaj që të dilte nga vetura. Ai shkoi me të deri te rruga kryesore, ende e shtruar me tulla, që nga koha kur ishte ndërtuar qyteti. Ajo pa njerëz me pantallona të shkurtër dhe me kapele kaubojsh, apo edhe me xhinsi dhe, përnjëherë iu duk sikur ishte e veshur së tepërmi. "Më duket sikur nuk jemi veshur sikur që e do vendi, Vince," komentoi me zë ajo derisa ecnin rrugës duke dëgjuar një këngë të Garth Brooksit. Muzika "country" gjithmonë kishte qenë një kulturë e fortë në Virxhinia, por ajo kurrë nuk kishte adhuruar këtë lloj të muzikës. Ajo ishte më shumë adhuruese e muzikës hip hop dhe pop, por megjithatë muzika "country" kishte një thjeshtësi që të bënte të lumtur.

"Dukesh për mrekulli, nuk ke pse bëhesh merak", i tha Vince, duke e futur në një dyqan në fund të bllokut. Ai ia hapi derën dhe ajo e shikoi atë një moment, duke analizuar fjalët që ia kishte thënë. Ai kishte të drejtë; nuk është se ata gjendeshin në ndonjë ndejë të nivelit të lartë. Nuk kishte rëndësi se çka kishte veshur, përderisa ndihej mirë. Clarke hyri brenda dhe menjëherë ndeu aromën e alkoolit, më saktësisht, të birrës. Ishte kjo një birrari e vogël lokale dhe aty kishte disa njerëz që provonin lloje të ndryshme të birrës. Vince u afrua dhe mori dy birra me mbishkrimin "Virgil's Brewery". Njërën gotë ia dha asaj. "Urdhëro, mund të provosh edhe birra tjera, por kjo është më e mira". 

(Kosova Sot Online)