Dashuria e bukur nuk ju bën të vuani!

  • 19 August 2019 - 10:08
Dashuria e bukur nuk ju bën të vuani!

Lejojeni veten t’ju duan, sepse dashuria e bukur dhe autentike nuk dëmton, nuk tradhton dhe nuk ju bën të qani.

Dashuria që fal gëzim, është ajo që ofrohet me sy dhe zemërhapur, është një marrëdhënie e pjekur dhe e ndërgjegjshme, në të cilën nuk mbushen boshllëqet dhe as lehtësohen vetitë egoiste.

Nëse mendojmë për këtë, do të kuptojmë se sa thellë është rrënjosur në kulturën tonë ideja se “dashuria e vërtetë na bën të vuajmë”. Në realitet është e gabuar. Dhimbja dhe dashuria janë shumë të ndryshme. Një marrëdhënie e sinqertë, e bazuar në reciprocitet, nuk do të paraqesë elementë toksikë ose helmues në përbërjen e saj. Lëreni veten të dashurohet nga një ndjenjë e bukur, lejojeni veten të marrë dashurinë që meriton, sepse dashuria nuk të bën të vuash, sjell alegri dhe jo pakënaqësi.

John Gottman, profesor i nderuar i Universitetit të Uashingtonit, është një ekspert i rëndësishëm në marrëdhëniet në çift. Në një nga librat e tij, “Inteligjenca Emocionale për Çiftin”, ai shpjegon se sekreti i një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të lumtur qëndron në të dish se si ta respektojmë njëri-tjetrin. Me këtë, profesori dëshiron të ngrejë nevojën për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të shënuar fitore të sinqerta dhe reciproke, e mbi të gjitha, për të krijuar kuptime dhe vlera të përbashkëta. Dhimbja ndërkaq, nuk gjen aspak hapësirë në marrëdhënie të kësaj natyre. Ju ftojmë të reflektoni bashkë me ne. Pakënaqësia është shenja që lë gjurmë në trurin tonë.

Një nga karakteristikat më të dallueshme tek njerëzit që arrijnë të krijojnë një marrëdhënie në bazë të respektit, lumturisë dhe rritjes, është që të jenë në gjendje të duan sikur të mos ishin lënduar më parë, pa i derdhur partnerit të ri, dhimbjen e mundshme të marrëdhënieve të mëparshme. Nuk ka mosbesim dhe hidhërimi nuk ripërsëritet. Por ka edhe individë në botë, të cilët besojnë se dashuria dhemb, për shkak se përvojat e tyre e kanë konfirmuar këtë gjë. Po flasim për faktet e pakënaqësisë, sipas një studimi të botuar në revistën “Journal of Neurophysiology”, ku truri ynë, para një pushimi apo një zhgënjimi emocional, reagon siç mund të reagojë ndaj dhimbjes fizike.

Për t’u përballur me situata të tilla delikate, një këndvështrim shumë interesant po zhvillohet në neurobiologjinë relacionale. Kjo teori përdor si pikënisje kryesore të saj, idenë se truri ynë, në sajë të neuro-plasticitetit, është i aftë të shërojë plagët dhe gjurmët e dhimbjes së tij. Nëse mund të ndërtojmë lidhje të reja dhe të forcojmë ligamentet neuronale të prekura nga dhimbja e traumës emocionale, me siguri do të arrijmë një ekuilibër të brendshëm, të shëndetshëm.

Dashuria e bukur, nuk lëndon dhe nuk të bën të qash

Dashuria e vërtetë nuk lëndon kurrë, është gjithmonë mungesa e dashurisë që e shkakton këtë. Është beteja e humbur që shuan dhe zhgënjen, është lodhja e një zemre të pafuqishme, tanimë e pa shpresë. Një zemër që nuk beson më në: “të premtoj se do të ndryshoj” dhe “jam i sigurt se gjërat do të përmirësohen nga tani”. Dua një dashuri të tillë, bashkëpunuese, me fjalë të plota, me zemra të përulura dhe rrugë të përbashkëta.

Duhet të refuzojmë kategorikisht dashuritë që kanë shijen e lotëve. Ne duhet ta kundërshtojmë idenë se, mësimet e vërteta të jetës vijnë me vuajtje dhe se të gjithë, në një mënyrë apo një tjetër, duhet të provojnë dhimbje për të rilindur. Epo, lumturia na mëson kaq shumë gjëra. Sepse në dashurinë me D të madhe, nuk ka dobësi që lëndojnë dhe as vend për egon e pafund, për frikën apo mosbesimin.  Dashuria e sinqertë nuk dëmton, nuk përpiqet të të lëndojë, dhe nëse shfaqet një trishtim apo një buzëqeshje e ëmbël, partneri do të kërkojë arsyen për atë renë që kalon dhe do ta shmangë menjëherë.

Ashtu siç thoshte dhe Erich Fromm, dashuria, para së gjithash është një akt besimi. Mund të shihet gjithashtu dhe si një kërcim në errësirë ku, edhe nëse askush nuk mund të garantojë se gjithçka do të shkojë mirë, nuk ngurrojmë të hidhemi dhe të ofrojmë gjithnjë më të mirën për të respektuar dhe për të na respektuar. Për të dhënë lumturi dhe kurrë hidhërim.

 

(Kosova Sot Online)