Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (1)

  • 25 gusht 2019 - 15:20
Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (1)

I hodha flokët prapa. Kisha 30 vjet dhe kisha një jetë tejet të bukur, për të cilën isha krenare. Ajo që më kishte lënë gjyshja, ende ishte e paprekur. Një kasolle e vogël dhe prona rreth saj nuk kishte thuajse kurrfarë vlere dhe gjendej rreth 100 km larg qytetit. Por, ajo pronë për mua kishte rëndësi të madhe. Kisha kujtime që më lidhnin me të, isha rritur aty dhe ajo ishte oazë për mua kur doja që të ikja nga gjithçka. Asgjë në atë shtëpi të vogël nuk kisha ndryshuar, pos që kisha përshtatur disa hapësira. Më pëlqente vjetërsia e asaj shtëpie, por edhe aroma e vjetërsisë, e së kaluarës, të cilën e ndjeja sa herë që e hapja derën. Mund ta rrënoja atë kasolle, duke ndërtuar diçka tjetër, por një gjë të tillë kurrë nuk do të mund ta bëja. Shikova në drejtim të Robertit, i cili gjendej në kuzhinë. I buzëqesha. - Diana - më tha ai, duke mu afruar dhe duke më puthur.

- Kur do ta caktosh datën e martesës? - më pyeti. I rrudha supet. Mua nuk më ngutej. Karrierën e kisha në ngritje e sipër, e apetitet tona ishin gjithnjë e më të mëdha. Martesa ishte një obligim, marrjen e të cilit mbi supet e mia, nuk isha e sigurt se doja ta merrja. Roberti ma kishte bërë të qartë se donte të kishim fëmijë, por unë doja që të prisnim. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë, ishte ta shtyja dasmën, por Roberti e kishte hetuar këtë. Kjo nuk më kishte befasuar, meqë ai ishte po aq i suksesshëm sa edhe unë. Në gjithçka ishim të barabartë. - SË shpejti - i thash kushedi për të satën herë. E dija se ajo "së shpejti" mund të zgjaste me vite, e atë e dinte edhe ai. - Sikur të të mos doja pa masë, tha ai, kaherë do të të kisha lënë - tha ai, si me gjysmë shaka. Buzëqesha. Isha e sigurt në dashurinë e saj. Ajo dashuri ishte e dëshmuar në çdo aspekt. Ishim bashkë tash e gjashtë vjet e, gjatë kësaj kohe, ishim sprovuar me gjithçka. - Nuk do të mund ta bëje këtë - ia ktheva. E përqafova. Më pëlqente aroma e trupit të tij dhe fortësia e muskujve të cilët theksoheshin nën bluzën e pambuktë. Ai ishte më i gjatë se unë gati 20 cm dhe ishim çift ideal. Pajtoheshim për mrekulli. Që të dy ishim të përshtatshëm dhe tolerantë. E plotësonim njëri-tjetrin, sikur që thoshte Roberti. Kishim dy trupa, por vetëm një shpirt. Sado që nuk kisha pasur fat në fillim të jetës, më vonë jeta mu shpagua dhe më vërshoi me fat në çdo hap. - Nuk do të mundja - pranoi ai. E largova kokën nga supet e tij. E shikova në sy. Kishte ngrohtësinë e syve ngjyrë kafe të mbushur me dashuri. Me kalimin e kohës, dashuria u bë më stabile, më e fortë dhe kishte gjithnjë e më shumë besim. - As unë nuk do të mund të jetoja pa ty - i thashë me zë të ulët.

- Ulu - ia bëra me dorë kah karrigia. Roberti edhe ashtu e dinte shumë mirë "anatominë" e banesës sime, meqë më shpesh rrinte aty, sesa që të shkonte në banesë të tij. Thuajse ishim tani të martuar, por nuk e kishim zyrtarizuar këtë. Ai formalitet i vogël për mua nuk kishte kurrfarë rëndësie, por për të, po. - Darka thuajse u bë gati - më pëlqente tepër të gatuaja. Më pëlqente që ta befasoja me gjellë të reja. Bazat e gatimit i kisha mësuar nga gjyshja, e gjithçka tjetër kisha mësuar vetë. (vijon)


(Kosova Sot Online)