Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (6)

  • 30 August 2019 - 15:04
Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (6)

 Çka po ndodh? - tha, duke na shikuar pa pikë mirëkuptimi. - Ajo… - bëra me gisht kah gruaja e cila pretendonte të ishte ajo që nuk ishte. - Nuk dëshiron që të shkojë - thashë. Roberti më shikoi i habitur. - Unë jam nëna e saj - tha gruaja. - Kam nevojë për ndihmë, për një vend për të fjetur disa ditë - kur filloi që të fliste me Robertin, shprehja e saj e fytyrës ndërroi përnjëherë. - Ku qëndron problemi? - Roberti nuk e largonte shikimin nga fytyra ime.

Kisha përshtypjen që ai ishte duke ia mbajtur anën nënës sime edhe pse e dinte tërë të vërtetën. E shikoja me mosbesim, më të madh sesa ai që më shikonte mua. - Nuk dua ta kem afër - shqiptova qartazi çdo fjalë. - Nënë e ke - Roberti nuk dorëzohej. Kurrë nuk më kishte zemëruar sikur në ato momente. Fillova të "zieja". Ai ishte rritur në një familje idilike, i rrethuar nga dashuria, për dallim nga unë.

Unë e kisha vetëm dashurinë e gjyshes, por jo edhe të personit, i cili do të duhej të ma jepte atë. - Kur i paska rënë ndërmend? Pas tridhjetë vjetësh? - thashë duke e dridhur kokën. - Kam nevojë për ndihmë - tha ajo përsëri. - Edhe unë kam pasur nevojë për ndihmë. Kush më ka pyetur mua sesi ndihesha dhe për çka kisha nevojë? Jo, nuk do të kem mëshirë ndaj asaj që nuk ka pasur mëshirë ndaj fëmijës vetëm tre muajsh.

Ajo është person i rritur, do ta gjejë një zgjidhje. Nuk e dua afër vetes, as tash, e as ndonjëherë tjetër. - Por… - Roberti më shikonte sikur të më shihte për herë të parë. Në njëfarë mënyre, kjo ishte e vërtetë. Ia tregova anën time të karakterit, të cilën e kisha mbajtur vetëm për veten time. I tërë ai zemërim që ishte shtresuar, doli në sipërfaqe.

Nuk mundja, por as nuk doja ta kontrolloja. Në atë zemërim u derdh krejt çka kisha përjetuar gjatë fëmijërisë. - Nënë e ke - përsëriti ai. - Jo, nuk e kam - thashë me këmbëngulje. - Nuk e kam nënë. Kur më ka vizituar për herë të fundit? Kush mi ka ndërruar pelenat? Kush ka qenë afër meje kur kam qenë sëmurë? Ajo nuk ka qenë. Kurrë nuk më ka puthur, as përqafuar, kurrë me mua nuk e ka ndërruar as edhe një fjalë.

Pse tani? - iu afrova asaj në fytyrë. - Ja ku i keni paratë për hotel - tha Roberti duke nxjerrë paratë dhe duke ia dhënë asaj. - Gjithçka do të jetë në rregull - e ngushëlloi. Ngela pa fjalë. A nuk do të duhej ai që të ma mbante anën mua? Ajo i mori paratë dhe u zhduk sikur shurra e pulës. - Këtë e quan nënë, ti? - tani iu ktheva atij. - Nuk i intereson asaj asgjë pos parave. As që më pyeti si jam. Në vend të vajzës së vet, ajo sheh një burim parash, një bankomat që nuk shteret kurrë. Jo, jo. Centin nuk ia jap! A e di se sa herë kam menduar për këtë takim? Me miliona herë, çdo mbrëmje, në mijëra variante.

Por, këtë variant kurrë nuk e kisha marrë me mend. Në sytë e saj nuk ka pendim, nuk ka dashuri, nuk ka asgjë tjetër, pos lakmisë. - Çka po ndodhë me ty? - më pyeti Roberti. - Si po sillesh kështu? - ai nuk kuptonte se çka po ndodhte. Që të dy ishim plot emocione edhe atë emocione negative. - Çka po mendon? - i thashë, duke iu avitur shumë. - Ajo kurrë më nuk do ta kalojë pragun e derës sime. Nuk e dua. - Si mund të jesh indiferente kur dikush tjetër gjendet në telashe? Nuk paske aspak mëshirë. Si nuk e kam vërejtur më parë një gjë të tillë? Vajzë të ka. Nuk duhet të bëhesh si ajo. Por, gjaku është gjak, nga kjo nuk mund të ikësh.

(Kosova Sot Online)