Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (10)

  • 03 September 2019 - 15:35
Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (10)

Mohova me kokë. Jo, nuk do ta bëj këtë. Do të mund të më konsideronte të ashpër, e ndoshta edhe isha, por nuk doja që ta lejoja të manipulonte me mua. - Nuk lejoj - thashë me ftohtësi. - Nesër do t'i zgjedhim të gjitha rreth pronësisë. Tani dua të jem vetëm. - E kjo banesë? - tha nëna, duke shikuar përreth. Sytë i rrezatonin nga lakmia. Vala e zemërimit kishte filluar të më kaplonte. Çka donte ajo? Të më nxirrte në rrugë, në mënyrë që të pinte pa problem? Banesën e kisha blerë vet, e kisha paguar me vite të tëra dhe ende kisha për ta paguar, thuajse edhe dhjetë vjet. Kisha dëshmi që askush tjetër nuk kishte marrë pjesë në atë blerje. Nuk kisha marrë asnjë trashëgimi, e cila do të mund të më ndihmonte.

- Banesa është imja - thashë me qetësinë më të madhe të mundshme. Përpiqesha që të mos e humbja kontrollin ndaj vetes, edhe pse isha afër kësaj. Zemra më rrihte me shpejtësi. Si nuk e vërente sa më kishte lënduar me vetë faktin që kishte kërkuar trashëgimi vetëm për veten e vet? Isha në gjendje që të hiqja dorë edhe nga banesa, vetëm të më linte të qetë. Ajo mund ta shiste pronën, por nuk mund t'm'i shkatërronte kujtimet që i kisha në lidhje me të. Ato kujtime ishin vetëm të miat. - Dëm - tha me zë të ulët. - Megjithatë, do ta vërtetoj këtë - tha me një zë tërësisht pa ndjenja. - Vetëm urdhëro! E, tani... - u nisa kah dera dhe e hapa atë, duke pritur që ajo të dilte. Por, ajo nuk e kishte ndërmend ta bënte këtë. Priste paratë të cilat mendonte se do t'i merrte. Nuk kisha ndërmend që të lëshoja pe. - Nuk do ta marrësh as edhe një qindarkë - i thashë me zemërim. - Ku të fle? Në rrugë? - më pyeti. Edhe pse, për një moment, më bëri që të hamendesha, nuk lëshova pe. - Ku të duash - e kapa për dore dhe e nxora nga banesa.

- Nesër në ora pesë hajde para banesës - i thashë, duke e rrapëlluar derën. Ndjeva sesi m'u drodh tërë trupi. Zemra më rrihte me shpejtësi. Djersa e kishte bërë qull këmishën time. Bisedën të cilën sapo e kisha bërë, më kishte sfilitur në tërësi. Kisha përshtypjen sikur një pjesë e imja kishte vdekur. Vetë lajmi se do të mbetesha pa pronë, thjesht më çmendte. Do t'ia jepja pronën time, do t'ia regjistroja në emër të saj, por vetëm me një kusht: që kurrë më të mos më trokiste në derë. Po, kjo do të jetë gjëja më e mençur që mund ta bëj. Në këtë mënyrë në tërësi do t'i qëroj hesapet me të kaluarën. E nesërmja për mua ishte njëra ndër ditët më të këqija në jetën time. Pronën e barta në emër të nënës dhe hoqa dorë nga të gjitha të drejtat që i kisha. Sikur gjyshja ime ta dinte çka isha duke bërë, me gjasë do të zemërohej së tepërmi dhe do ta kundërshtonte një gjë të tillë. Ndodhi ajo nga çka ajo kishte më së shumti frikë. Kur mbaroi çdo gjë, ndjeva një lehtësim. Shpresoja që atë grua isha duke e parë për herë të fundit. Ndaj saj nuk kisha asnjë ndjenjë, sikur as ajo ndaj meje.

Kjo ishte e dyanshme. Shkova në shtëpi dhe rashë në shtrat. Lotët filluan të më rridhnin me të madhe. Me orë të tëra qava si e marrë. Kurrë nuk kisha qarë aq shumë, që nga vdekja e gjyshes. Me vetë faktin që ia kisha dhënë pronën vajzës së saj, sikur përsëri kisha vrarë tërë atë të bukurën që ajo kishte mbjellë te unë. Nuk shkova deri te prona. Nuk i mora as gjësendet e imëta të cilat për mua kishin domethënie të madhe. Çdo shikim në ato gjësende vetëm sa do të ma thellonte dhembjen. Me ditë të tëra nuk munda ta merrja veten. Kisha përshtypjen sikur jeta kalonte afër meje, pranë meje, sikur më anashkalonte. Shkoja në punë, e kryeja punën dhe kthehesha në shtëpi. Çdo gjë ishte e hirtë dhe monotone. Nëna nuk më lajmërohej, e as që e prisja një gjë të tillë. Vetë fakti që më kishte lënë të qetë, ishte gëzimi im i vetëm në jetë. Mundohesha që gjërat t'i shikoja nga perspektiva e Robertit, por kjo nuk më shkonte për dore. (vijon)

(Kosova Sot Online)