Roman dashurie: Batica e dashurisë (13)

  • 09 September 2019 - 16:36
Roman dashurie: Batica e dashurisë (13)

Buzëqeshja e Cooperit u zbeh në një shikim apologjetik. "Ndoshta e thash gabimisht. Ti nuk dukesh aq... mekanike". E lëshova një ulërimë të vogël nga gurmazi. Ku e ka gjetur Dicksoni këtë njeri? Duke i rrudhur sytë, iu afrova, duke i thënë: "Ndoshta do të ishte më mirë sikur të pushoje që përdoruri fjalët, pikë". Ai i preku flokët e tij bionde me dorë. "Ah, Wills . . ." "Emri im është Willow", thash me dhëmbë të shtrënguar. Ai u zgërdhi. "Jam tepër i sigurt që kam lexuar në 'Wikipedia' se ju quheni Brittany", tha ai, derisa unë u tkurra. Njeriu i vetëm i cili më kishte thirrur me emrin tim të vërtetë, ishte njeriu i cili, tri vjet më parë, ishte i gatshëm që të më bënte copë e grimë. Cooper duket se nuk vërejti ndryshimin në shprehjen time, kur më pyeti me zë të sinqertë. "Pra, Wills, pse nuk ia fillojmë nga fillimi?" "Si të duash." Ai u përkul mbi tavolinë dhe ma zgjati dorën. "Jam Cooper Taylor. Jam Akrep. Më pëlqejnë femrat, shëtitjet e gjata në plazh dhe cimeri im më thotë se unë përdor shampon femrash. Oh, dhe urrej të gjithë në industrinë e filmit, meqë ata janë të gjithë zuzarë.

Ma merr mendja se mund të thuash që jam Pai Mei yt". Ishte ky një varg shakash dhe një ofendim tjetër ndaj profesionit tim, por për një arsye, kësaj here toni i zërit të tij më bëri të buzëqeshja. Ndoshta kjo kishte të bënte me atë se isha pa gjumë. Apo për shkak se ai përmendi "Kill Bill", një film të cilin mund ta shikoj çdo ditë pa ndier mërzi. "Willow Avery. Aktore, Gaforre dhe, sipas ekipit tim, me një këmbë në dhe". Ende pa e përfunduar fjalën kuptova se gabova. Cooper pastroi fytin dhe unë e "përqafova" veten për një moment, për të mos bërë ndonjë koment, për të cilin më pas do të ndihesha keq. U përpiva me zor, meqë sado që mundohesha ta bindja veten se nuk kishin rëndësi mendimet e të tjerëve për mua, nuk ia arrija dot.

Zgjidhja që kisha bërë disa vjet më parë, ishte dëshmi e kësaj. "I kam parë filmat e tu", tha Cooper me butësi. Kur e ngrita kokën, pash sesi ai më shikonte me një shikim të pacipë. "Me gjasë mund të konstatosh se më pëlqen të marr informata rreth klientëve të mi". Ai e kishte marrë mundin që ta gjente emrin tim të plotë në "Wikipedia" dhe të shikonte filmat e mi, por në ato momente e tëra ajo që më sillej ndërmend, ishte se para vetes kisha trajnerin më seksi që kisha parë ndonjëherë. "Me gjasë, pasi që më ke studiuar, ke ardhur deri te përfundimi se jam çnjerëzore?", e pyeta haptazi. Ai ma preku dorën, derisa unë automatikisht mora frymë thellë. "Jo, jam bindur se ke një talent të çmendur. Për dallim nga të tjerët në këtë biznes, Wills." Papritmas pash një flash të fotoaparatit. Kokat tona, e imja dhe e Cooperit, u kthyen kah fotoaparati dhe Miller tanimë ishte ngritur në këmbë, duke qëndruar para meje. Shikova pas tij, duke pritur se do ta shihja ndonjë paparaco, por ai ishte një fëmijë, me gjasë 12 - 13 vjeçar, me prindërit e tij. Për një moment ndjeva një zemërim të madh, por arrita ta qetësoja veten. Fëmija ishte vajzë dhe kërkonte autografin tim. (vijon)

(Kosova Sot Online)