Roman dashurie: Lidhja e pashkëputur (22)

  • 20 shtator 2019 - 15:07
Roman dashurie: Lidhja e pashkëputur (22)

Tento që ta bindësh Catherine-n se më së miri është për vajzën që të bisedojë me mua. Nëse vëllezërit tanë duan t'i takojnë prindërit, ma bëj me dije. - Nuk besoj se së shpejti ata do të vinë para derës së shtëpisë së prindërve tanë. Edhe diçka: lëre Catherinen rehat.

A nuk të mjafton ajo që i ke bërë? - Sikur ta dija për abortin, do të isha me të atë natë. Nuk më ke njoftuar - mbrohej Romani. - Ti u solle keq kur ajo të tregoi se kishte ngelur shtatzënë, prandaj edhe nuk deshi të të shihte më. Dhe, ajo nuk e kishte merituar që të dyshoje në të.

Ose kërkoji falje, ose largohu përgjithmonë dhe lëre të qetë! - Më vjen keq, kjo nuk është e mundur derisa Moira të jetë këtu. - Po, de! Puna në rend të parë - u çmend Patricku. - Nëse është e shkruar e zezë mbi të bardhë, ti e di çka duhet bërë. Nëse bëhet fjalë për ndonjë gjë tjetër, për prindërit tanë, Catherinen, apo beben, aty je i pafuqishëm.

Romani e shikoi vëllain, i cili u ngrit i zemëruar dhe u largua. Donte t'i pajtonte prindërit me Patrickun, por e dinte se kjo ishte gati e pamundur. Me një hap të rëndë doli në rrugë. Catherine mori frymë me lehtësi. Përfundimisht ai u largua. Hyri në kuzhinë dhe filloi t'i përgatiste enët, duke bërë me këtë rast një zhurmë të padurueshme.

Pasi që i largoi të gjitha, shikoi fytyrën e brengosur të Retes. - Dhe? A u qetësove? Romani të bëri nervoz? - Po, por vetëm pse është aq arrogant. Erdhi dhe më akuzoi se jam duke e fshehur vajzën. - Ka të drejtë. - Po, por ai nuk e di këtë dhe nuk ka të drejtë që të dyshojë në mua. Është ai personi që nuk meriton besim.

- E dashura Catherine, Joe Salon e ka parë këtu Moiran, e me gjasë e ka parë edhe vet Romani. Ai tanimë kishte hyrë brenda kur vogëlushja iku në kuzhinë. - Dëshiron të thuash se duhej të pranoja që vajza është këtu dhe t'ia dorëzoja? Ende nuk e di pse ka ikur nga shtëpia. Ku u fsheh Moira? - E dërgova në shtëpinë time. Leslie do të jetë me të, derisa t'i them se mund të kthehet. A ta thërras?

Catherine pohoi me kokë. - Le ta përcjell Leslie. Nëse është frikësuar nga Romani, ka të ngjarë që të tentojë përsëri që të ikë. Më duhet ta marr vesh pse është larguar nga prindërit. Romani me gjasë do të vijë përsëri dhe më duhet që të përgatitem për këtë. Si ta mbroj, nëse nuk e di të vërtetën? - A mendon se Moira do të të rrëfehet? - Dyshoj.

- Por, duhet të ndërmarrësh diçka nëse dëshiron ta evitosh ardhjen e përditshme të Romanit. Ai nuk do të heqë dorë, pa marrë parasysh sa siklet do të ketë që të vijë këtu. - E di. Thirre Moirën - tha Catherine. Kur doli nga kuzhina, Catherine vërejti gruan e Patrickut, Alisën. - Me gjasë të ka çuar burri, për të parë se sa më nervozoi Romani? - Patrick më tha se e kishte takuar këtu. Mendoj se duhet t'i besosh Romanit, meqë ai di se çka është mirë në këtë situatë.

- Kjo është e vërtetë, kur flitet për ligjet dhe rregullat, por kur bëhet fjalë për njerëz, ai nuk ka haber. Abortin e mbijetova disi, por nuk do ta lejoj që të ma marrë Moirën, të paktën derisa ta marr vesh se çka është më e mirë për të. - Më së miri do të ishte sikur ta bindje që të bisedonte me Romanin.

- Do të përpiqem - tha Catherine - por, nuk do ta detyroj. - Kjo nuk mjafton. Ajo ka vetëm 13 vjet dhe është tepër e re që të vendosë vet rreth diçkaje që mund të ndikojë në tërë jetën e saj. Catherine e dinte që Alisa kishte të drejtë, prandaj nisi që ta kërkonte Moirën, që të bisedonte me të.

(Kosova Sot Online)