Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (4)

  • 08 October 2019 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (4)

- Po lëshohem poshtë që t'i thërras prindërit e tu. Nuk kisha as dëshirën më të vogël që të rrija vetëm me Albanin. Sa më përkiste mua, nuk kishim më çka t'i thoshim njëri-tjetrit. - Jo, unë do të shkoj që t'i thërras. Me ndihmën e prindërve kreva të gjitha formalitetet rreth varrimit, duke përfshirë edhe përzgjedhjen e arkivolit dhe luleve, më pas ia dhashë nënës sime regjistrin e gjësendeve që doja të mi sillte nga shtëpia. Dhoma ime e vajzërisë dukej mu ashtu sikur që e kisha lënë kur isha martuar, katër vjet më parë. Në orman ende qëndronte fotografia ime me Albanin. Ishim aq të rinj, naivë, aq të lumtur, tërësisht të paditur rreth asaj që na priste. Duke përjetuar një dhembje të hatashme, e kapa foton dhe e përplasa për muri, duke e thyer në 1001 copë. Më pas u shtriva në shtrat dhe ia krisa vajit. Me Albanin u takova dy ditë më vonë, në morgun e spitalit. Atë e kishin vendosur në një arkivol të vogël. Ende dukej sikur ishte duke fjetur, por grimi të cilin ia kishin vënë, e bënte që të dukej artificiale, sikur të ishte kukull. Afër kresë ia vendosa arushin e tij të preferuar të pelushit, më pas ia lëmova kokën dhe u largova.

Vazhdova që të qëndroja në një kënd, duke shikuar burrin dhe familjen e tij. Ai dhe i ati i tij ishin kapluar nga mërzia dhe qanin me lot, duke dënesur aq shumë, sa që më vinte gjynah nga ta. Sikur ta kisha një zemër normale, besoj se një pamje e tillë do të ma thyente atë, por zemra ime tanimë ishte e thyer dhe në të më nuk kishte vend për Albanin. Atë pasdite u bë edhe varrimi, ku gjatë tërë kohës qëndrova me prindërit e mi. Edhe në varreza u mundova që të isha sa më larg burrit tim. Pasi që përfunduam gjithçka dhe u nisëm kah automobilat, ai m'u afrua. - Valdete… - më preku në sup. - Dëshiron të vish në shtëpi... me mua? Vetë ideja që të kthehesha në atë shtëpi, më bëri që të rrëqethesha, ta shihja përsëri shtratin e vogëlushit, lodrat e tij, të jetoja me njeriun i cili e kishte vrarë atë… Me një veprim të vendosur e tërhoqa dorën dhe ia ktheva shpinën. - Jo, nuk dua. Kaloi një javë, më pas edhe një javë tjetër. Ia nisa punës, por ende vazhdoja që të jetoja te prindërit. Prej varrimit më nuk e kisha parë Albanin, e as nuk kisha biseduar me të. Një të shtunë, rreth një muaj më vonë, papritmas na vizitoi vjehrra ime.

Nëna ime u ul me të në kuzhinë dhe ia qiti një kafe. Filluan që të bisedonin rreth gjithçkaje, por ishte evidente se asnjëra prej tyre nuk ndiheshin mirë. Aspak nuk mundohesha që të merrja pjesë në bisedë, meqë që të tria e dinim se vjehrra nuk kishte ardhur për të bërë muhabet. - Si jeni? - e pyeti në fund nëna ime. - I kemi ditët e mira dhe të këqija - u përgjigj ajo, duke më shikuar. - Por, më së shumti më shqetëson Albani. Nuk e di a të ka treguar, por javën e kaluar ai u kthye në shtëpi, në shtëpinë tuaj - bëri me kokë dhe u mërrol. - Jam e bindur se ai njeri nuk ushqehet me rregull, si dhe nuk fle tërë natën. Çka mendonte ajo? Se unë haja e flija për merak? Një kohë të gjatë e vështruam njëra-tjetrën, pa bërë zë. - Valdete, a e ke ndërmend që të kthehesh në shtëpi? - përfundimisht mori guximin që të më pyeste. - Nuk e di. Ende nuk kam vendosur. Pasi të vendosi, do të bisedoj për këtë temë me Albanin. (vijon)


(Kosova Sot Online)