Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (5)

  • 09 October 2019 - 15:14
Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (5)

Me qëllim nuk thash "e jo me ty", por nga skuqja që u paraqit në fytyrën e vjehrrës sime, kuptova që ajo kuptoi shumë mirë çka kisha dashur të thosha. Nëna ime më shikonte shtrembër. - Valdete… - Nuk je e drejtë ndaj Albanit - tha vjehrra. Dhembja është duke e shkatërruar. Si do të mbijetojë nëse, përpos tërë asaj që është duke përjetuar, do t'i duhet që të ballafaqohet edhe me fajësimin tënd? - tha duke u ndalur shkurt, e më pas, duke parë se nuk flisja, vazhdoi - Në fund të fundit, kjo me të vërtetë ishte një fatkeqësi, aksident. Duhet ditur për të falur. Duke i shtrënguar dhëmbët, e rrapëllova me qëllim filxhanin e kafes në tabëll, duke e derdhur paksa. - Lehtë e ke të flasësh kështu. Nuk e di sa do të ishe ti e gatshme që ta falje dikë që do të ishte fajtor për vdekjen e fëmijës tënd! - u largova nga tavolina, u ngrita dhe me zemërim dola nga kuzhina. Derisa isha duke shkuar në dhomë, dëgjoja nënën time duke kërkuar falje për sjelljen që kisha bërë. Atë mbrëmje, me t'u kthyer nga puna, im atë trokiti në derën e dhomës sime.

- Dëgjova që vjehrra jote ishte këtu - tha, duke u ulur në skaj të shtratit ku unë qëndroja e shtrirë. - Mamaja mendon se jam sjellë keq me të, apo jo? Sipas saj, unë do të duhej të kthehesha te Albani dhe të sillesha si një grua plot mirëkuptim. Babi më preku me butësi. - Nëna jote mund të jetë paksa demode, por mendo vet. Çfarëdo që të vendosësh, ne do të të mbështesim. Ofshava. - Problemi qëndron te fakti se as vetë nuk e di çka të bëj. - A guxoj të të pyes diçka? A e do ende? U ndala dhe fillova të mendoja. Në Albanin isha dashuruar kur kisha pasur vetëm 16 vjet, derisa ishim në të njëjtën klasë të gjimnazit, pasi që profesoresha e biologjisë na kishte caktuar detyrën që, së bashku, ta përgatisnim një referat rreth reptilëve. Deri në atë moment nuk kisha ndier ndaj tij ndonjë gjë të veçantë. Ai për mua deri atëherë ishte thjesht, një shok klase, bile nuk më dukej as kushedi sa i bukur. Por, kur filluam ta përgatisnim referatin, zbulova se ishte tepër i ndjeshëm, i talentuar, me një sens të zhvilluar të humorit. Me të kurrë nuk mërzitesha. Pasi që filloi të më binte në sy dhe pasi që u bëra e vetëdijshme se ai, në fakt, ishte një djalë mjaft i pashëm, kuptova se kisha rënë në dashuri me të. Dhjetë vjet të jetës së përbashkët, martesa dhe lindja e fëmijës vetëm sa na e forcuan edhe më shumë dashurinë. Deri një muaj më parë, Albani nuk e kishte problem që të më bënte të qeshja. Tani, nuk më kishte mbetur më as të buzëqeshja, por një ditë, ndoshta përsëri do ta zbuloja gëzimin e buzëqeshjes dhe mendimin se mendimi se atëherë mundej që pranë meje të mos ishte burri im, më pikëlloi pa masë. Përkundër tragjedisë që na kishte ndodhur, përsëri e doja. Por, nuk isha e sigurt a e doja sa duhej, apo jo. - Po, baba. E dua! Por, ta duash dhe ta falësh, nuk është e njëjta gjë. Im at më shikoi i mërzitur. - Fatkeqësisht, zemra ime, nuk është! Këtu ke të drejtë. Nëse mendon se nuk do ta falësh, atëherë më mirë mos u kthe te ai.

Vjehrra jote ka të drejtë kur thotë se Albanin gjatë tërë jetës do ta përndjekë ndjenja e fajit. Një barrë e rëndë në shpirt. Nëse, përpos kësaj, çdo ditë do të ballafaqohet me zemërimin tënd, qoftë edhe të heshtur, atëherë jeta për të do të mund të bëhej e padurueshme. - Nuk e di a do të mund t'ia fal. - Mendoj se humbja e fëmijës është gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë dikujt dhe nuk e di a mundet prindi ta ketë atë forcë që t'ia falë dikujt këtë faj të madh. por, nëse nuk ndihesh e gatshme që ta falësh, atëherë ndoshta Albani do ta ketë më të lehtë pa ty - përfundoi babai. (vijon)


(Kosova Sot Online)