Ngjarje e vërtetë: Dashuria e mbuluar me dëborë (4)

  • 18 October 2019 - 17:14
Ngjarje e vërtetë: Dashuria e mbuluar me dëborë (4)

 

Kishte ditë kur më bënin vërejtje, duke pyetur vetveten çfarë nëne isha unë, që nuk e shihja bijën time me ditë të tëra, duke qëndruar vetëm në punë, por kjo kalonte shpejt. Sinqerisht doja t'iu përgjigjesha në këtë pyetje, por përgjigjen nuk e dija as vetë. Të gjitha mangësitë e mia me gjasë doja t'i shëroja duke punuar, duke vrapuar pas obligimeve. Kur u zgjua të nesërmen, përsëri ishte tepër e pikëlluar. Mundohesha ta bindja se çdo gjë kishte ndodhur me një arsye, se ndoshta atë e priste një punë edhe më e mirë sesa puna në shkollën e vallëzimit. Nuk përgjigjej fare, por as që i duhej.

Në bazë të shprehjes së fytyrës së saj e dija se çka mendonte. Mora pushim vjetor disa ditë, në mënyrë që t'i gjindesha afër. Era na vizitoi papritmas dhe na gëzoi pa masë. rinia e saj, elani, rrëfimet dhe përjetimet e bukura ishin për ne një freskim i vërtetë në ato ditë dimri. - Bijë e dashur, faleminderit që na vizitove. Diana u gëzua pa masë - po ashtu edhe unë. Ti solle gëzim në ditët tona të pleqërisë dhe sëmundjeve - i thash unë, e ajo sa s'u shkri duke qeshur. - Baba, mos më thuaj asgjë. Sikur njerëzit e panjohur do të na shihnin në qytet, ty dhe mua, nuk do të mendonin se jemi atë e bijë, por një çift i dashuruar.

Fakti që je për 19 vjet më i madh sesa unë, thuajse nuk vërehet fare. i ke gjenet e gjyshes dhe, me gjasë, do të dukesh kështu i ri deri në fund. Prandaj mos të të dëgjoj më duke folur për veten tënde sikur për ndonjë plak. Mosha 44-vjeçare nuk është pleqëri, me të vërtetë mendoj se ti dhe Diana jeni në vitet më të mira dhe se jetën e vërtetë e keni përpara - i thash, derisa më ledhatonte. - Era e dashur. Ti je gjëja më e bukur që më ndodhi në jetë. Kurrë nuk kam qenë baba i mirë, por ti gjithmonë ke qenë fëmijë i mrekullueshëm. Jam tepër krenar për ty, për të gjitha sukseset tua. Më fal që nuk kam ditur të jam baba - i thash. - Baba, çka ke sot? Çka janë këto emocione që të kanë kapluar?

Gjithmonë të kam dashur dhe do të të dua. Ne jemi familje, ua falim gabimet njëri-tjetrit. Ti ke vepruar ashtu sikur ke menduar se është më së miri. Askush nuk është i përkryer. Do të befasoheshe ti sikur unë të filloja t'i numëroja gabimet që i kam bërë - tha, e unë menjëherë ndjeva sikur zemrën ma shpoi një shpatë e mprehtë. Menjëherë në kokë më kaluan mendime të errëta, të tmerrshme. - Bijë, më thuaj për çka bëhet fjalë? Ku ke gabuar? Për çfarë gabimesh e ke fjalën? A mund të të ndihmoj? ajo filloi që të qeshte me sinqeritetin e një vajze të mitur. - Mos u shqetëso! Nuk bëhet fjalë për kushedi çka, nuk kam bërë asgjë drastike. Pa frikë dhe panik. Ajo buzëqeshje e saj e mrekullueshme dhe ato fjalë më qetësuan.

Ajo gjithmonë ishte e sinqertë, e ndershme dhe nuk kisha asnjë arsye që të dyshoja në atë që tha ajo. Përsëri e përqafova dhe i thash se do të jem përgjithmonë këtu për të, prandaj mund të më drejtohej pa marrë parasysh çfarë problemesh mund të ketë, në jetë, në punë, apo në financa, a dashuri. - Baba, ti do të bisedoje me mua për dashuri, e këndej kurrë nuk më ke treguar si e ke njoftuar Dianën - tha ajo. - Nuk të paskam treguar? Me të vërtetë nuk e di si jemi takuar ne? - habitesha që ajo nuk e dinte rrëfimin tonë. - Nuk më ke treguar as ti, e as ajo. Sinqerisht, me të vërtetë jam kureshtare që ta di se ku jeni takuar ju? - i interesonte asaj. (vijon).

(Kosova Sot Online)