Ngjarje e vërtetë: Dashuria e mbuluar me dëborë (6)

  • 20 October 2019 - 15:08
Ngjarje e vërtetë: Dashuria e mbuluar me dëborë (6)

 Krejt fajin e ka qeni im. Me të vërtetë do ta heq qafesh. Faleminderit, ju falënderoj nga zemra - i thashë me sinqeritet. - A jeni mirë? Këtu afër e kam shtëpinë. A të shkoj ta marr veturën dhe t'ju çoj te mjeku? - Nuk ka nevojë, faleminderit! Do të jem mirë, të paktën shpresoj ashtu - thashë, e më pas fillova t'i shpjegoja sjelljet e qenit. Ai më dëgjonte me vëmendje krejt çka i thosha, e më pas më shpjegoi sesi më kishte parë duke u rrëzuar edhe herën e parë, por edhe këtë herë. Në fund më tregoi se më ishte çarë dhëmbi i përparmë, por se nuk ishte situata tepër serioze dhe çdo stomatolog mund ta rregullonte atë çarje.

Në ndërkohë te ne erdhën qentë dhe pronari i kudrës. Edhe ai kishte parë çka kishte ndodhur dhe ma ofroi ndihmën e tij. Meqë yt atë arriti i pari, ai u largua i bindur se ne të dy njiheshim prej më parë. Përpos dhembjeve në fytyrë, por edhe në pjesën e pasme të trupit, ndjeja edhe një siklet të madh para babait tënd.

Ai ishte një mashkull që më pëlqente tepër, e në anën tjetër, më kishte parë në "formën" më të keqe të mundshme. Isha më së shumti e turpëruar për shkak të tërë asaj që më ndodhi para syve të tij. Ishte një kavalieri i vërtetë, u ofrua që të më përcillte deri te banesa. Pranova këtë ofertë. Sa u gëzova kur, para banesës sime, ma kërkoi numrin e telefonit, në mënyrë që të më thërriste dhe të shihte a isha mirë. Më telefonoi të nesërmen në mëngjes dhe më propozoi që të dilnim për të pirë kafe. I thashë se nuk mund të dilja jashtë me dhëmbin e lënduar, e ai më tha se një gjë e tillë nuk i pengonte aspak dhe ma mbushi mendjen që të dilnim. Dhe, ja, kështu filloi e tëra.

- Dashurinë time të vërtetë e gjeta në dëborë, në asfalt, me dhëmb të thyer - shtova, me ç'rast qeshën të dyja. Hava ishte kënaqur me këtë rrëfim, e pasi që pimë pijet, ajo shkoi rrugës së vet. Disponimi i Dianës ndryshoi. Që të dyja ishim të lumtura që Hava na e kujtoi atë ditë me dëborë, e cila na i kishte bashkuar zemrat dhe jetët tona. Me të u martova për herë të katërt, martesë e cila që nga fillimi dallonte nga ato parapraket. E kisha më se të qartë se të gjitha martesat e tjera kishin qenë mashtrim. Shërimi i Dianës nga këmba e thyer zgjati më shumë se 2 muaj. Për fat të saj, por edhe timin, ajo nuk e kishte humbur vendin e punës në ndërkohë. Më pas, disa ditë pasi ia filloi punës, e ftuan në një garë ndërkombëtare. Ajo e pranoi ftesën, përkundër rezervave të mia, meqë nuk doja që ta ngarkonte këmbën më shumë. Zuri një vend të lartë. E përcillja në gara dhe ishte kënaqësi ta shihje derisa vallëzonte. Ajo është krejt çka mund të jetë një femër. Ajo ma ktheu besimin te gratë pasi që njëherë e kisha humbur atë. FUND


(Kosova Sot Online)