Ngjarje e vërtetë: Askush nuk mund të matet me suedezin tim (2)

  • 30 October 2019 - 15:04
Ngjarje e vërtetë: Askush nuk mund të matet me suedezin tim (2)

- Unë jam Tomori - u prezantua ai me sigurinë e një mashkulli, i cili di çka dëshiron, duke ma vendosur dorën rreth belit. - E unë jam Teuta. Nuk të kam parë më parë - mezi arrita të thosha. Prekja e tij ishte e ngrohtë, e më habiti edhe bukuria dhe atraktiviteti i tij, që vinte në pah që në takimin e parë. - As që ke mundur të më shohësh. Jetoj në Suedi, e këtu e kam shtëpinë e gjyshes. Im atë është larguar tepër i ri nga këtu, e atje, në Suedi, është njoftuar me nënën time. Ai çdo vit vjen në atdhe, e tani më vjen keq që edhe unë nuk kam ardhur çdo herë me të - tha me zërin e tij të thellë. Gjithçka atë mbrëmje ishte e mrekullueshme.

Doja që sa më parë ta largoja nga diskoteka, në një vend ku do të ishim vetëm. Prita me durim që ai ta propozonte këtë, por më dukej sikur Tomori argëtohej për merak në diskotekën plot njerëz. Rrinte ulur afër meje, por bisedonte me të gjithë, derisa shoqeve të mia iu paguante pije. Asnjërën prej tyre nuk e linte pas, prandaj fillova që të ndihesha goxha xheloze. Doja ta kisha vetëm për vete e ai sillej sikur të ishte kavalier. Por, nuk insistonte. Me asnjë gjest nuk bënte me dije se donte diçka më shumë sesa njohja. Me një fjalë, ishte një djalë krejt ndryshe nga të gjithë djemtë që kisha njohur. Më pas dolëm për të shëtitur. - Po vjen era shi. A dëshiron që, në vend të shëtitjes, të vozitemi paksa? - më tha pasi që dolëm jashtë. I rrudha supet dhe u nisa pas tij. Nja njëzet metra më larg ishte i parkuar automobili i tij i kuq sportiv, me dy ulëse, ku automobil të tillë nuk kisha parë në qytetin tonë. Tomori ma hapi derën e veturës dhe, pak më vonë, ishim duke shkuar në drejtim të panjohur. Thënë më saktësisht, as ai nuk e dinte ku ishte duke më çuar. - Ku të çon kjo rrugë? - më pyeti. - A me të vërtetë nuk e di, a? - e shikova me habi. - Herën e fundit këtu kam qenë si djalë i vogël. Por, nëse nuk më mashtron kujtesa, më duket se jemi duke shkuar kah një vend pikniku. - Ashtu është - ia futa kot. Dorën në zemër, aty me të vërtetë kishte dikur një vend pikniku, ku shkoja me prindërit. Por, me kalimin e viteve, ai vend nuk ishte mirëmbajtur dhe ishte shndërruar në një vend të frikshëm. Nuk shqetësohesha për faktin se gjendesha në automobil me një mashkull të panjohur. Nuk dija thuajse asgjë për të, por mezi prisja që ta përqafoja.

Për fatin tim të keq, atë mbrëmje nuk ndodhi asgjë më shumë sesa disa puthjeve të buta. E ndali veturën afër liqenit, aty ku shkonin qiftet e dashuruara. Isha e sigurt se biseda të cilën ishim duke e bërë, shërbente vetëm për relaksim, e më pas i tërë ai mashkull i bukur do të ishte i imi. Fundja, mendoja, nuk do të më sillte këtu për asgjë. Biseduam rreth fëmijërisë së tij, rreth jetës në Suedi dhe ishte shumë interesant ta dëgjoje. Unë nuk kisha me çka të mburresha. Kurrë nuk isha larguar nga qyteti i lindjes. Përnjëherë, në largësi, filluan të shiheshin rrufetë. Pas pak çastesh, filloi një rrebesh i madh i shiut. Tomori e ndezi veturën, por për shkak të shiut tepër të shpeshtë, nuk mund të voziste. Nuk shihej gishti para syve. - E, tani, çka të bëjmë? - pyeta me butësi, duke e qitur kokën në mbështetëse të ulëses. Gjithçka ishte romantike. Muzika e lehtë, shiu i cili binte si sixhim, goditja e pikave të shiut në xhamat e veturës, errësira kudo rreth nesh. (vijon) 


(Kosova Sot Online)