Roman dashurie: Në kohë të duhur (1)

  • 11 nëntor 2019 - 15:22
Roman dashurie: Në kohë të duhur (1)

Prindërit e Albulenës ishin ndarë qyshkur ajo kishte pasur dhjetë vjet. Ata ishin ndarë pas një ngjarjeje të pakëndshme. Në fakt, nëna e Albulenës një mbrëmje kishte shkuar në gardërobën e teatrit, pas premierës së njërës nga shfaqjeve të babait të Albulenës, për ta gjetur këtë të fundit lakuriq, në përqafim të një femre të re. Temperamente si ishte, gruaja kishte bërë skenë dhe për të kishin shkruar të gjitha gazetat. Burrit ia kishte thyer hundën me një taketuke të madhe, e femrën e kishte nxjerrë lakuriqe në rrugë, duke e tërhequr për flokësh. Meqë e ëma e Albulenës, Flutura, asokohe kishte më shumë se 90 kile, askush nuk ishte habitur se si ia kishte dalë ta bënte këtë hata. Të njëjtën mbrëmje i ati i Albulenës kishte marrë gjësendet e veta dhe ishte larguar, kurse Albulenës gjatë disa viteve i ishte dashur t’i dëgjonte ankesat e së ëmës kundër të gjithë meshkujve të botës. Të atin më pas e kishte takuar vetëm disa herë edhe atë shumë shkurt.

Pas shkurorëzimit ai kishte shkuar për të jetuar në një qytet të ri, ku ishte bërë drejtor i teatrit dhe kishte hapur shtëpi të produksionit, duke u bërë shumë i pasur. Asnjëherë nuk ishte interesuar për të bijën, por alimentacionin e paguante me rregull. Albulenës i dukej sikur edhe ato vizita të pakta te i ati, në të cilat insistonte ai, në bazë të së drejtës si baba, më shumë ishin mënyra për t’u hakmarrë ndaj nënës së saj, sesa që shprehnin dëshirën që të ruheshin lidhjet midis babait dhe vajzës. – Kurrë nuk i kam kërkuar asgjë. Si ta thërras tani, e t’i them që të më ndihmojë ta hap butikun tim? – M’u për atë që nuk i ke kërkuar asnjëherë asgjë, si dhe që të ka ofruar kaq pak në jetë, ke të drejtë që të kërkosh ndihmë. – Nuk e di... Nuk jemi të afërt. Kam frikë se do të më shikojë sikur të ishim të huaj, do ta tundë kokën dhe do të largohet. Ai e bën këtë sa herë që dua të ma shfaqë dashurinë e vet ndaj meje. Iu kujtua sesi, kur ishte vajzë e vogël, një herë e kishte lutur të atin t’i thoshte se ishte princesha e tij. Ai vetëm e kishte matur me sy për disa sekonda, sikur të pyetej se nga e kishte marrë ajo këtë guxim, e më pas kishte tundur kokën dhe ishte larguar. Disa djem e kishin dërguar kamerieren për t’i pyetur se çka duan të pinë në llogari të tyre, por që të dyja refuzuan dhe shumë shpejt i pinë kafet, paguan dhe dolën. Në mesin e atyre djemve gjendeshin edhe disa që gëzonin nam të keq, kështu që çdo kontakt me ta do t’ua dëmtonte imazhin.

KAPITULLI I DYTË

Albulena i ra nëpër oborr dhe vërejti se nëna kishte larë disa rrobalarëse me rroba, me qëllim që ta shfrytëzonte diellin e pasdites për të tharë rrobat. Hyri në shtëpi dhe ndjeu aromën e patateve të fërguara. Albulena dhe nëna e saj, Flutura, jetonin në një shtëpi njëkatëshe me një oborr të vogël, të mbushur me lule dhe me një portë të bardhë. Kjo nuk ishte shtëpi e madhe – në përdhes gjendeshin kuzhina, dhoma e ditës dhe banja, e në kat, respektivisht në nënkulm, gjendeshin dy dhoma të gjumit dhe një tarracë e vogël në të cilën Albulenës i pëlqente që të ulej dhe të lexonte. Hyri në kuzhinë dhe e gjet të ëmën ulur afër shporetit, duke lexuar librin me receta të gatimeve. (vijon)

(Kosova Sot Online)